Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 06:39

Strugë – Të premten u mbajt konferencë për shtyp në shenjë proteste për zbardhjen e rastit të kidnapimit të kryetarit të Bashkësisë lokale të fshatit Ladorishtë, Sulltan Memeti.

Përveç familjarëve të Sulltanit dhe Këshillit të bashkësisë lokale, këtë protestë e përkrahën edhe kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, deputeti i zonës Tahir Hani, përfaqësues të degëve të partive të DBI-së dhe PDSH-së dhe përfaqësues të Organizatave joqeveruitare. “Të gjithë ne që jemi këtu jemi të një mendimi për të protestuar për zbardhjen e rastit të Sulltanit dhe për të vazhduar protestën pasiqë ende nuk ka asnjë rezultat për zbardhjen e rastit të kryetarit të Bashkësisë lokale të fshatit Ladorishtë”, ka deklaruar kryetari i komunës Merko. Filizon Memeti, Vëllai i të kidnapuarit Sulltan Memeti, ka deklaruar që “është shumë e vështirë 10 vite të mos e dish ku e ke vëllanë dhe familjarin tonë. Ne i posedojmë të gjitha dëshmitë të cilat na kanë dhënë edhe ish-presidenti i ndjerë Boris Trajkovski pas informatës së marrë nga Lube Boshkovski si Ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë dhe shumë dëshmi tjera që Sulltani është i kidnapuar me urdhër nga policia e vendit. Nëse nuk zbardhet rasti atëherë ne me kërkesat tona do të dalim jashtë dispozitave ligjore”. Sekretari i Bashkësisë lokale të Ladorishtës, Verdat Kolonja, ka deklaruar se “dëshmitë që i japin dëshmitarët okularë dhe të tjerët vërtetojnë se Sulltanin e kanë arrestuar pjesëtar të strukturave policore më 6 maj të vitit 2001 dhe atë në mënyrë të organizuar. Për këtë kemi 13 dëshmitarë, por edhe dëshmi nga strukturat institucionale”. Kolonja ka shtuar se të gjitha aktivitetet që janë bërë deri më tani si protestat, bllokimet e rrugëve dhe peticioni në të cilin janë mbledhur mbi 43 mijë nënshkrime brenda vendit dhe rreth 4 mijë nga kurbetçinjtë kanë hasur në vesh të shurdhër në institucionet përkatëse. “Në mbledhjen e mbajtur më 13 prill me këshillin e Bashkësisë lokale vendosëm që më 15 prill tu bëjmë ftesë për takim shefit të policisë në Strugë, prokurorit publik dhe drejtorit të Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, por fatkeqësisë ftesës tonë ju përgjigj vetëm shefi i policisë ndërsa të tjerët nuk erdhën duke bërë arsyetime boshe. Nëse brenda një afati të caktuar institucionet përkatëse nuk japin të dhënat e duhura për zbardhjen e rastit atëherë ne do të marrim masa më radikale”, ka potencuar Kolonja. Mbështetjen e tij e dha edhe deputeti aktual i zonës Tahir Hani i cili deklaroi se mos-zbardhja e rastit nga organet kompetente e keqëson akoma më shumë gjendjen dhe se mund të sjellë edhe trazira të tjera. Sulltan Memeti u kidnapua më 6 prill të vitit 2001 rreth orës 21 në tek varrezat ortodokse në rrugën Strugë-Ladorishtë, dhe prej atëherë familjarët, bashkëfshatarët dhe miqtë nuk dinë asnjë informatë në lidhje me fatin e tij.