Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 12:53

Shkup – Këtë vit patjetër do të kemi statut të ri të Komunës, pa marrë parasysh se kush çka mendon. Kjo bëhet e ditur nga komuna e Strugës, ku thonë se është bërë “mollë sherri” neni shtatë i statutit, i cili është i papranueshëm për këshilltarët e partive maqedonase në Këshillin Komunal.

Këshilltarët e VMRO-së, të cilëve iu bashkëngjitën edhe ata të LSDM-së dhe të partive të tjera maqedonase e lëshuan seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Strugës, pasi që në rend dite ishte votimi i statutit të ri të Komunës.

Pengesa për këshilltarët maqedonas qëndron në nenin shtatë, ku thuhet se “Gjuhë zyrtare në Komunën e Strugës është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik dhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj”, gjë për të cilën maqedonasit kanë kërkuar që të theksohet që “Gjuhë zyrtare në Komunën e Strugës është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik dhe gjuha e atyre që janë mbi 20 për qind”.

Kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, ka thënë se në seancën e ardhshme të Këshillit komunal patjetër do të miratohet statuti i ri, pa marrë parasysh se kush çka mendon.

“Unë besoj se të gjithë partitë shqiptare, do ta përkrahin statutin e ri dhe do ta votojnë dhe kështu nuk do të lejojmë që akoma të diskutohet për këtë pasi që në Komunën tonë nuk jetojnë mbi 20 për qind shqiptarë, por jetojnë mbi 50 për qind dhe prandaj nuk do të ndryshojë aspak neni shtatë i statutit”, ka dekaruar kryetari Ramiz Merko.

Merko ka shtuar se nuk është bërë asnjë shkelje e ligjit dhe ashtu siç qëndron e njëjta gjë në statutet e komunave tjera ku janë më shumë shqiptarë, ashtu do të qëndrojë edhe në statutin e Komunës së Strugës.

“Ne nuk kemi bërë shkelje të asnjë ligji dhe me këtë rast ne vetëm pak e kemi modifikuar nenin shtatë, sepse ky është realiteti që në komunën e Strugës mbi 50 për qind janë banorë me kombësi shqiptare dhe ne me tutje nuk do të pyesim të tjerët se si do jetë Statuti ynë, por do të vendosim vetë për të”, ka shtuar Merko.

Merko ka nënvizuar se nuk është e vërtetë që deri më tani komuna ka qëndruar pa statut pasi që derisa të miratohet statuti i ri Komuna vepron me atë të vjetrin.