Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 15:54

Tiranë – Strasburgu ndërpret pranimin e dosjeve të reja të shqiptarëve me ankesa për pronat për një vit e gjysmë, por do të vazhdojë të gjykojë dosjet e paraqitura tashmë. Kjo është komunikuar dje nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut e Këshillit të Evropës, pas vendimeve të rradhës, që e kanë dënuar shtetin shqiptar me pagesën e 3 milionë eurove në katër raste të moszbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare për kompensimin ish-pronarëve.

Rasti;
Në gjykimin e saj për rastin “Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë” Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur dje njëzëri se konstaton shkelje të nenit 13 (e drejta për një ankim të efektshëm) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një gjykim të drejtë) dhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës. Në arsyetimin e këtij vendimi, Gjykata është shprehur se 20 qytetarë shqiptarë argumentuan se, pavarësisht nga njohja prej autoriteteve e titullit të tyre të pronësisë mbi një tokë që ata kishin fituar me trashëgimi, vendimet përfundimtare administrative për dhënien e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj, në vend të kthimit, asnjëherë nuk janë ekzekutuar. Ankuesit janë njëzet shtetas shqiptarë, ish-pronarë ose trashëgimtarë të ish-pronarëve të tokave të konfiskuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri. Ata kanë trashëguar titujt e pronës mbi disa toka me sipërfaqe që variojnë nga 600 deri në 5.000 metra katrore, që janë njohur midis viteve 1994 dhe 1996 nga Komisionet për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, sipas Ligjit të vitit 1993 mbi pronën. Sipas Komisioneve, ankuesit duhet të kompensohen financiarisht, sipas njerës nga rrugët që parashikon ligji për këtë qëllim, në vend që atyre t’u kthehet prona. Por asnjë vendim përkatës nuk është ekzekutuar deri tani. Tetë ankuesve iu është kthyer një pjesë e pasurisë, por nuk kanë marrë kompensim, në një prej rrugëve që parashikon ligji, për pjesën tjetër të tokave të tyre.

Cenimi i së drejtës
Lidhur me ankesën se nuk janë ndërmarrë hapa efektive për të siguruar zbatimin e vendimeve për dhënien e kompensimit, Gjykata rikujton se ka shqyrtuar çështje të tilla në disa raste të ngjashme, si psh në rastin Ramadhi e të tjerë. Duke patur parasysh mungesën e efektshmërisë edhe të mjeteve të tjera të parashikuara me ligj, të tilla si kompensimi në natyrë, kompensimi me aksione ose bono privatizimi, apo bono thesari, Gjykata konkludon se ankuesit nuk kanë patur mundësinë të bëjnë brenda vendit një ankim efektiv për zhdëmtim të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm ndaj moszbatimit të vendimeve administrative për kompensimit.

Vendimet
Gjykata vendosi që Shqipëria duhet të paguajë 1 milion euro për dëm material dhe moral dhe 1.000 euro për kosto dhe shpenzime gjyqësore për aplikantët në rastin Manushaqe Puto kundër Shqipërisë; 280 mijë euro për dëm material dhe moral dhe 1.000 euro për kosto dhe shpenzimet gjyqësore për aplikantët në rastin Dani kundër Shqipërisë dhe 352 mijë euro për dëm material dhe moral dhe 1.000 euro për kosto dhe shpenzime për aplikantët në rastin Ahmataj e të tjerë kundër Shqipërisë. Po kështu, një shifër prej 1.36 milionë eurosh do të paguhet për dëm material dhe moral ndaj aplikantëve në rastin Muka kundër Shqipërisë.

Lidhur me raste të tilla të ngjashme, Gjykata vendosi të shtyjë shqyrtimin e të gjitha rasteve të reja kundër Shqipërisë që do të paraqiten pas shpalljes së këtij gjykimi, në ato raste, që kanë të bëjnë me pretendime në lidhje vetëm me zbatime të zbarritura të vendimeve për kompensim të pronave. Kjo shtyrje do të jetë në fuqi për një periudhë prej 18 muajsh nga data kur ky vendim merr formë të prerë. Procedurat për raste të ngjashme që janë sjellë në Gjykatë para vendimit, do të vazhdojë të ndjekin rrugën normale të gjykimit. (Sh.C)