Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 16:21

Tiranë – Misioni i OSBE/ODIHR-it në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 8 majit theksoi sot se aktorët politikë duhet të demonstrojnë gatishmëri për të organizuar zgjedhje të ndershme.
Gjatë prezantimit përpara mediave të misionit vëzhgues në vend, Këshilltari i lartë zgjedhor pranë zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Varshavë dhe njëkohësisht edhe kreu i vëzhguesve, , theksoi se “partitë politike duhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme, duke i shërbyer interesit të përgjithshëm të Shqipërisë”.
Duke bërë të ditur se gjatë këtyre 8 javëve, misioni vëzhgues do të takohet me përfaqësues të qeverisë qëndrore, pushteteve vendore, me partitë politike, kandidatë dhe përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe me komunitetin ndërkombëtar, kreu i vëzhguesve tha se “do të monitorojmë edhe mediat, transmetuesin publik dhe ato private, për mbulimin e procesit zgjedhor”.
“Elementi kryesor i metodologjisë së OSBE/ODIHR-it është paanshmëria, ne nuk kemi interes të veçantë për asnjë nga partitë politike apo aktorë të ndryshëm në politikë, por për rezulate të cilat duhet të jenë të bazuara në një proces të rregullt dhe të ndershëm”, deklaroi Stonestreet.
Kreu i misonit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR nënvizoi se “do të vëzhgojmë se si partitë politike bashkëveprojnë me njëra tjetrën, si i përgjigjen realiteteve që mosmarrëveshjet e tyre të mos kenë ndikim mbi zhvillimin e institucioneve”.
Ai vuri në dukje se do të vëzhgohet nga afër edhe administrata zgjedhore, organet në të gjitha nivelet si dhe institucionet e tjera, të cilat lidhen me procesin zgjedhor se si ata zbatojnë ligjin dhe rregullat proceduriale të kryrjes se zgjedhjeve të ndershme.
Jonathan Stonestreet bëri të ditur se misioni i vëzhgimit përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtare, analistë të fushave të ndryshme, ndërsa në fundjavë pritet që të vijnë edhe 24 vëzhgues të tjerë.
“Në përgjithësi, në total do të formojnë 39 skuadra të ndryshme vëzhguesish, me pjesëmarrës nga 23 vënde, ndërkohë që ne u kërkuam vendeve anëtare të OSBE-së që të dërgojnë vëzhguesit e tyre dhe pritet që të kemi edhe 400 vëzhgues të tjerë afatshkurtër, të cilët do të shikojnë procesin e hapjes së zgjedhjeve, të zhvillimit të tyre dhe mbylljes së rezultateve”, shtoi kreu i misionit të OSBE/ODIHR-it në Shqipëri.
Në përfundim, kreu i vëzhguesve, Jonathan Stonestreet, deklaroi se pas zgjedhjeve misioni do të bëjë publike një raport, ku do të reflektohen të gjitha aspektet dhe rekomandimet për përmirësimin e këtij procesi zgjedhor në të ardhmen.