Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 08:03

Në vijë me gjuhën me të cilën ka folur shefi i tij Isa Mustafa, po vazhdon të flasë edhe zëvendësi i nga Lista Serbe, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, sa i përket kompetencave të Asociacionit të Komunave Serbe.

Në një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjinin, Stojanoviq ka folur për marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel dhe për mënyrën e funksionimit të AKS-së.

Ai ka thënë se çdokush që tërheq paralele mes Asociacionit dhe frikës se Kosova do të shkojë drejt bosnjëzimit përmes këtij organi, është duke bërë analizë të pakuptimtë.

Sipas tij, AKS do të ndihmojë edhe komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, për një jetë më të mire, në të gjitha fushat – përfshirë atë ekonomike, shëndetësore, arsim, infrastrukturë e të tjera.

“Prandaj, përmendja e Republikës Serbe dhe krahasimi me çfarëdo situate tjetër, për mendimin tim është e pakuptimtë. Duhet thënë po ashtu që kjo bashkësi serbe nuk është problem kryesor i Kosovës apo që mund të ndikojë në të ardhmen në proceset në vend. Kosova ka nevojë për një qeverisje të drejtë, sundim të ligjit, që sistemi I drejtësisë të funksionojë më mirë, shëndetësia, arsimi, si dhe të zhvillohet ambient më i mirë ekonomik”, ka thënë zëvendëskryeministri.

Kjo qeverisje më e mirë, sipas tij, do të bëhet nga Asociacioni. Ai ka thënë se sa herë janë nënshkruar marrëveshje midis dy palëve në Bruksel, interpretimi i tyre është bërë ndryshe nga të dyja palët, ndaj shtonës duhet shikuar saktë se çfarë përmban marrëveshja.

Kritika të ashpra Stojanoviq ka ndaj opozitës, duke vlerësuar se tri partitë opozitare po nxisin urrejtje dhe frikë te qytetarët e Kosovës.

“Ajo çka kemi dëgjuar ditëve të fundit nga opozita, është një panik dhe frikësim i panevojshëm i qytetarëve të Kosovës. Loja me kartën e nacionalizimit, po ashtu nuk i bënë nder këtij procesi dhe askujt që jeton në Kosovë. Me këtë rast opozita nuk është duke treguar asnjë lloj kreativiteti për ta kritikuar qeverinë për shkak se ajo është puna e tyre. Por, loja me nxitje të urrejtjes dhe nacionalizimit nuk i shërben askujt, e më së paku atyre politikave të opozitës të cilët duhet të mendojnë për jetën e njerëzve. Qytetarët jetojnë në vështirësi dhe duhet të përqendrohemi në stabilizimin e gjendjes ekonomike”, ka thënë ai.

Stajanoviq vazhdon të jetë I bindur se edhe pas miratimit të Statutit të Asocacionit, ky organ nuk do të jetë problem për Kosovën e as që do të mund të ndikojë në të ardhmen për proceset e ndryshme që pritet të ndodhin në vend.

Ky zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë për temat të cilat janë të hapura e që lidhen direkt me jetën e të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovës. /RTV Dukagjini/