Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 15:59

Beograd  – Shefi i ekipit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviq ka thënë të shtunën se Beogradi ka paraqitur “propozimin në detaje” për lirinë e lëvizjes në pajtim të plotë me standardet evropiane, por sipas tij, assesi nuk mund të flitet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Natyrisht, në asnjë rast nuk mund të bëhet fjalë për krahasime, sikur tha Edita Tahiri për shtetet, të cilat nuk i kanë të rregulluara raportet, prandaj Kosova për ne nuk mund të jetë shtet”, ka thënë Stefanoviq për mediat serbe.

Pas takimit të ekipeve negociatore në Bruksel, shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se pala serbe ka propozuar disa zgjidhje, të cilat zbatohen ndërmjet shteteve që nuk i kanë marrëdhëniet e normalizuara.

Stefanoviq ka thënë se pala serbe ka paraqitur propozimin në detaje, i cili rregullon lirinë e lëvizjes dhe i cili është në pajtim të plotë me standardet evropiane, “madje ua kalon edhe atyre”.

“Ne kemi dhënë propozimin konkret, i cili iu mundëson qytetarëve që në mënyrë normale të lëvizin dhe të krijojmë komunikimin edhe në vetë Kosovën dhe me qytetarët tanë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në periudhën e ardhshme priten detyra të vështira që të vazhdojnë bisedimet.

“Nuk dëshirojmë të heqim dorë në asnjë mënyrë dhe do të vazhdojmë të ofrojmë propozime të reja, të cilat do të ruajnë sovranitetin tonë dhe do të jenë në pajtim me praktikën evropiane”, ka thënë Stefanoviq.

Ndryshe, takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas kabinetit të shefes së diplomacisë evropiane Ketrin Eshton, do të mbahet kah mesi i muajit të ardhshëm.