Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 11:57

Prishtinë – Shefi i delegacionit serb në bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviq, është shprehur në favor të vazhdimit të dialogut, pas zhvillimeve të fundit në veri. Ai ka ftuar që të ulen gjakrat dhe tensionet dhe të bisedojnë shtruar.

“Përpjekja e Prishtinës që të tërhiqet nga dialogu, për shkak se është e vetëdijshme që edhe veten, edhe procesin e ka sjellë në pikëpyetje me veprimet e saj që nga 25 korriku, mendoj se nuk është e mirë. Mendoj se të gjithë duhet t’i ulin tensionet dhe sa më parë t’i kthehemi tavolinës së bisedimeve. Ne nuk kemi dilema, ne e dimë se dialogu është i domosdoshëm”, ka thënë kreu i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq, për Radion Evropa e Lirë.

Stefanoviq ka thënë se “nuk është vendimi i tij” që të tërhiqen nga bisedimet, nëse Prishtina refuzon të diskutojë më tej.

Stefanoviq dhe ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, mësohet të kenë hyrë në Leposaviq, mbrëmë vonë, përmes rrugëve sekondare.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka kërcënuar me arrestimin e tyre, meqë, siç ka thënë, ata kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Në përgjigje të këtyre paralajmërimeve, Stefanoviq ka thënë:

“Kjo nuk i kontribuon askujt. Nuk jemi këtu për të provokuar dikë, po bëjmë një punë serioze, në kushte të vështira, ka shumë nervozë… Është më mirë që këtë krizë ta përfundojmë në mënyrë të qetë, me kokë të ftohtë dhe të nisim dialogun”.