Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 09:55

TIRANË – Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi u takuar sot me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama në selinë rozë.

Duke folur mbi punët në Bruksel pak ditë përpara progres raportit për Shqipërinë, Sequi u përgjigj me anë të një historie të fëmijërisë së tij, kur një ditë përpara festave mezi priste të zbulonte suprizën. “Do t’iu them përgjigjen time të saktë dhe të prerë në datën 10 tetor. Do ta diskutojmë në datën 10, pasi me të vërtetë nuk e di tani”, tha Sequi.

Në lidhje me takimin me kreun e  PS-së, Sequi u shpreh se, “diskutuam së bashku çështjet kryesore që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE. Rama më informoi për çështjen e qarkut të Fier dhe shpresoj që një zgjidhje të gjendet së shpejti, jo vetëm për këtë por edhe për të tjera”.

Lidhur me lajmin e publikuar nga agjensia italiane e lajmeve ANSA për një vendim pozitiv të KE-së për dhënien e statust kandidat Shqipërisë, Sequi theksoi se, “ANSA është një agjenci lajmesh tejet e rëndësishme. Duhet ta dini se unë asnjëherë nuk i komentoj lajmet e agjencive. Por do të jem mëse i gatshëm të bëjë komente në datën 10 tetor, kur të dalë dhe raport i progresit për Shqipërinë”.

Sequi gjithashtu njoftoi se, “në datën 10 do të kemi një konferencë rreth orës 19:00. Ndërsa nesër do të publikohet një bisedë mes z. Ismail Kadare dhe meje rreth çështjeve të integrimit në BE”.

Takimi mes ambasadorit Sequi dhe kreut të PS-së, Edi Rama vjen 7 ditë përpara se Bashkimi Europian të publikojë progres raportin për Shqipërinë ku pritet të merret vendimi nëse vendit tonë do t`i jepet apo jo statusi i vendit kandidat.(LajmeShqip.com)