Lajme Shqip Saturday, 10 November 2012 12:01

Prishtinë – Zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) nuk do t`i mundësojë Qeverisë së Kosovës që pikëkalimet problematike me Serbinë, 1 dhe 31, në veri të Kosovës, t`i bëjë të funksionojnë në mënyrë të njëjtë si edhe katër pikëkalimet tjera me Serbinë.

Marrëveshja do të nisë të zbatohet para 10 dhjetorit, kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, do të takohen sërish.

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë i kanë thënë gazetës se Kosova do të vazhdojë që në këto dy pikëkalime të mbajë vetëm nga një zyrtar policor, një zyrtar nga doganat dhe një nga agjencia hidrosanitare. Pjesa tjetër e stafit do të vazhdojë të jetë nga EULEX-i, ashtu siç është edhe tash.

Në këtë mënyrë, sipas të njëjtave burime, do të jetë lehtë e zbatueshme edhe pengesa e vetme që kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vendosur për zbatimin e marrëveshjes së integruar të kufirit të arritur mes Kosovës e Serbisë, para gati një viti, në fillim të vitit të kaluar.(LajmeShqip.com)