Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 18:00

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha akuzoi sërish opozitën se synon bllokimin dhe dështimin e procesit të marrjes së statusit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, ndërsa siguroi qytetarët se kjo maxhorancë po bën gjthçka dhe se marja e statusit do të jetë proces i merituar.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të deputetëve demokratë, Berisha u shpreh se procesi i ntegrimit nuk ka qënë dhe nuk mund të jetë ndryshe, veçse një proces i mbështetur nga forcat kryesore politike, ku secila forcë politike të ndjejë se ka kontributet dhe aksionet e tij.

Berisha bëri të ditur se kreu i grupit parlamentar të PS-së pas dy muaj pune serioze në Komision e Ligjeve për miratimin e Kodit Penal, merr vendimin të mos votohej paketa dhe për të mbuluar dhe justifikuar këtë vendim paraprak sollën amandamente absurde.

Ai informoi se në takimet me zyrtarë të lartë në Bruksel në kuadër të Samitit të Vendeve të Partive Popullore Europiane, ku ishte i pranishëm edhe z. Berisha, iu kërkua një opinion mbi qëndrimin e opozitës në procesin e integrimit europian të vendit.

“Me rezervë unë pranova se kjo është një politikë që synon kryekëtput bllokimin dhe dështimin. Rama sheh si rrugë të vetme ardhjen në pushtet, dështimet dhe bllokimet. Vazhdon të besojë se një zinxhir dështimesh të çdo lloj penalizon qeverinë. Ky zotëri ka platformë të veten trillimin dhe bllokimin. Bllokimi i Kodit u bë në ditën që bëhej vlerësimi për Ballkanin Perëndimor, për të krijuar idenë se situata në Tiranë ishte e bllokuar dhe të mos thuhej një fjalë e mirë”, deklaroi Berisha.

Berisha i bëri thirrje sërish opozitës të heqë dorë nga koncepti i bllokimit dhe nga ideja se ai e ndihmon. Ai iu bëri thirrje deputetëve të maxhorancës në komisione për të shpejtuar procesin e punës.

Kreu i qeverisë komentoi edhe çështjen e debatuar mbi heqjen e imunitetit për deputetët. “Jam gati që nesër të pranoj të shtoj një nen në Kushtetutë, ku të përmbajë shprehimisht “se në këtë vend nuk ka imunitet për krimin e zakonshëm dhe korrupsionin”, por theksoi ai, megjithëse ishte një zotim i opozitës që në vitin 2004, ajo e refuzon këtë akt. (LajmeShqip.com)