Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 15:30

Tiranë – Drejtori i Prokurorisë Publike të Britanisë së Madhe, Keir Starmer, theksoi sot rëndësinë e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

“Qytetarët e thjeshtë shqiptarë duan një sistem drejtësie që përmbush kriteret e Bashkimit Evropian. Ata duan të gëzojnë të njëjtat të drejta, mundësi dhe standarde si çdo qytetar në vendet demokratike evropiane”, tha Starmer, gjatë një konference për shtyp në Tiranë.

Drejtuesi i prokurorisë në Britaninë e Madhe, Starmer shprehu shqetësim për sulmet ndaj institucioneve të pavarura. “Si drejtues i një organi të pavarur jam i shqetësuar nga sulmet personale dhe publike mbi integritetin e institucioneve të pavarura dhe individëve në to. Këto sulme dëmtojnë jo vetëm individët e shënjestruar, por elementët demokratikë të sistemit. Nëse ka shqetësim real apo prova të shkeljeve, këto pretendime duhen ndjekur nëpërmjet kanaleve të duhura dhe jo të përdoren për të ushtruar presion mbi individët”, tha Starmer.

Zyrtari i lartë britanik shprehu rëndësinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, që do të ndihmojë procedimin më të shpejtë dhe më të përshtatshëm të çështjeve specifike, por do të ndihmojë edhe për integrimin në BE.

“Sistemi efektiv i drejtësisë që përmbush standardet ndërkombëtare është një para-kusht për anëtarësimin në BE. Megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi, drejtësia e paanshme dhe shteti i së drejtës janë të drejta themelore, të cilat duhet t’i gëzojnë njësoj të gjithë shtetasit”, tha ai.

“Shteti i së drejtës është një kulturë demokratike, ndërtuar mbi bazën e parimeve, kryesisht mbi ndarjen e pushteteve. Ai ndërtohet me mbështetjen dhe vullnetin e mirë të aktorëve politik”,  tha ai, duke shprehur besimin se, Shqipëria ka kapacitetin për të zhvilluar një proces të besueshëm reforme në drejtësi.

Zyrtari i lartë britanik, Starmer shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me Prokurorinë shqiptare, me qëllim luftën ndaj krimit. “Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për të punuar me organet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë për të luftuar krimin që cënon të dyja vendet dhe për të forcuar shtetin e së drejtës dhe sistemin gjyqësor në Shqipëri”, tha ai.