Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 11:48

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalën e mbajtur në Forumin e 14-të Ekonomik Euroaziatik në Stamboll, deklaroi se Shqipëria është sot një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, që ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë vendet fqinjë. 
Në fjalën e tij Kreu i shtetit theksoi se sot Shqipëria është e angazhuar t’i bashkohet BE-së për të cilën ka një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit që prej vitit 2009. Shqipëria është anëtare e NATO-s, gjithashtu e OSBE-së, Bankës Botërore, FMN-së, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi, etj.
Presidenti Topi tha se pas një periudhe stanjacioni ekonomik, Shqipëria këto 10 vitet e fundit ka regjistruar një rritje ekonomike mesatare vjetore 6 %; me një inflacion të shënjestruar në kufijtë 3 plus minus 1 për qind; ka një kurs këmbimi fleksibël; ka një rrjet bankar tregtar të zhvilluar dhe një rrjet sigurimesh, të gjitha këto pronësi tërësisht, ose pjesërisht të kapitalit të huaj. 
Sipas Kreut të shtetit, Shqipëria ka sot një rrjet rrugor që afron me standardet ndërkombëtare, që zgjerohet në çdo vit dhe priret t’i bashkohet rrjetit ballkanik të transportit për të bërë më të lehtë rrjedhën e njerëzve, mallrave dhe kapitalit ndërmjet vendeve të Ballkanit, si dhe ndërmjet atyre të Evropës dhe Azisë. 
“Shqipëria nuk është bërë ende një destinacion madhor i turizmit, që rivalizon me vendet fqinjë si, Greqia dhe Kroacia. Megjithatë, Shqipëria karakterizohet nga një numër shumë i madh sitesh arkeologjike të qytetërimit iliro-romak, gjurmëve dhe kështjellave antike dhe mesjetare, parqe kombëtare, male dhe rezervate natyrore të mbrojtura, si dhe një bregdet prej 450 kilometrash”, theksoi Presidenti në fjalën e tij në Forumin Euroaziatik. 
Ai e vuri theksin tek rëndësia e veçantë që ka në këtë kohë bashkëpunimi ekonomik euroaziatik, në kontrast me trazirat politike dhe mungesën e rregullit në rajone të tjera të globit.
“Në 6 vitet e fundit, ekonomia botërore është rritur më shpejt se çdo herë tjetër në krahasim me 45 vitet e fundit. Vetëm në 25 vitet e fundit kanë dalë nga varfëria më shumë së 350 milionë njerëz, ose shumë më tepër se sa në 100 vitet e fundit. Në 5 vitet e fundit, mesatarja botërore e të ardhurave për frymë është rritur më shpejt se në çdo pikë të historisë së shkruar. Ky fakt na bën optimistë që të punojmë akoma më shumë për të rritur mirëqenien e popujve tanë dhe sigurimin paqes kudo në bot”, theksoi z. Topi. 
Ai nënvizoi rolin e Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, ndërsa vuri në dukje  marrëdhëniet shumë të mira të saj me të gjitha vendet fqinje, sidomos me ato vende ku shqiptarët janë ura solide të miqësisë si, në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, etj. 
“Tashmë vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si “fuçi baruti”. Këto vende tani të ardhmen e tyre e shikojnë tek zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe tek integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni”, përfundoi fjalën e tij Presidenti i Republikës, gjatë punimeve të  Forumit të 14-të euroaziatik, zhvilluar në Stamboll.