Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 20:49

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua të martën me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-të të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, gjatë bashkëbisedimit dy personalitetet shprehën besimin për të thelluar më tej bashkëpunimin në fusha të rëndësishme të zhvillimit dypalësh.

Presidenti Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit në vend, të realizimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit, si dhe të projekteve të reja të rëndësishme, sidomos pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me BE-në, duke theksuar se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara në rrugën e integrimit.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu mirënjohje për ndihmesën e madhe në të gjitha fushat, por veçanërisht në atë të mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të vendit tonë si anëtar i NATO-s, në misionet paqeruajtëse në Afganistan e Irak, ku forcat ushtarake të të dyja vendeve kanë kontribuar në dobi të forcimit të paqes në botë.

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl e siguroi homologun shqiptar se shteti turk do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në hapat e saj të rëndësishëm të përforcimit të shtetit demokatik.

Gjithashtu, Presidenti Gyl theksoi se intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh dhe kalimi me sukses i të gjitha etapave për të plotësuar standardet, do të jenë ndikojnë dukshëm në realizimin e qëllimit të përbashkët të integrimit të dy vendeve tona në Bashkimin Evropian.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi dhe Presidenti Gyl diskutuan edhe për rëndësinë që mbart mbajtja e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, pasi nxit liderët e vendeve më të fuqishme të demonstrojnë më tepër mbështetje e përkrahje për vendet që kanë nevojë për progres, për të patur një zhvillim global ekonomik, mirëqënie e stabilitet.