Lajme Shqip Saturday, 14 June 2014 14:24

Në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, kreu i qeverisë Edi Rama, dhe stafi i kryeministrisë u janë bashkuar nismës “Dhuro gjak, shpëto jetë”, ku gjithsecili prej tyre dhuroi gjak.

Rama apeloi që të gjithë qytetarët duhet të dhurojnë gjak, duke e vlerësuar si një detyrim të të gjithëve, në ndihmë të njerëzve në nevojë.

“Në këtë holl të kryeministrisë, ne do ta çelim këtë traditë nga sot, dhe çdo vit do ta bëjmë traditë dhurimin e gjakut. Sepse, në fund të fundit, kjo kryeministri, boll ia ka bërë gjakun ujë popullit dhe është koha tani që të japë gjak nga këtu dhe jo më të derdhë gjak”, u shpreh kryeministri.

“Duke qenë një dhurues gjaku i hershëm, një traditë që ne e ndërtuam në Bashkinë e Tiranës për shumë vite, besoj shumë se ky është një detyrim i të gjithëve. Të gjithë duhet ta dinë se jo vetëm nuk ka asnjë problem, por përkundrazi, bën mirë. Pra, jo vetëm bëjmë mirë, por edhe na bën mirë”, tha Rama.

Sipas tij, dhurimi i gjakut do të kthehet në traditë të përvitshme për institucionin e kryeministrisë. Gjaku i dhuruar do të shkojë në ndihmë të fëmijëve talasemikë.