Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 15:44

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe homologu i tij austriak , gjatë një takimi në Prishtinë kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ndihmën e Austrisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe ofrimin e investitorëve të Austrisë në Kosovë.

Ministri Hoxhaj ka thënë se Austria ka qenë gjithmonë në krah të Kosovës, ndërsa ka kërkuar që edhe më tej ky shtet të ndihmojë Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe posaçërisht në marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Po ashtu, ai ka shtuar se së shpejti pritet të ketë marrëveshje në fushën e ekonomisë që të ketë sa më shumë investime të Austrisë në Kosovë, marrëveshje me sigurimin social, marrëveshje në fushën e bujqësisë, të arsimit të kulturës gjëra të cilat janë prioritete të Qeverisë së Kosovës.

 

Hoxhaj ka theksuar se po ashtu është pajtuar që të ketë një agjendë të përbashkët, e cila agjendë e përbashkët do të jetë një program i përbashkët i bashkëpunimit në mes të qeverive të dy vendeve tona.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger ka thënë se austriakët janë përkrahës të Kosovës në integrimet evropiane, duke u shprehur se në këtë rrugë do të ndihmojë Kosovën.
“Unë mund të them nga ana e Austrisë që këtë e përkrahim parimisht, që edhe sot ju kemi premtuar që për këtë çështje do të flasim edhe me partnerët e tjerë evropian që të kemi rrugën rreth liberalizimit të vizave. Kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe popullin që dëshiron të udhëtoj i lirë”, ka thënë Spindelegger.
I pyetur se çka do të përfitojë Kosova nga bisedimet teknike, pasi që Serbia mund të fitojë statusin e kandidatit për aderim në BE, Spindelegger ka thënë se këto bisedime i ndihmojnë Kosovën në integrimin evropian.