Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 18:40

Tiranë – Vetëm pak muaj para mbarimit të mandatit të Ina Ramës në krye të Prokurorisë së Për-gjithshme, Spartak Braho është kandidati i parë që “ofrohet” zyrtarisht për të pranuar marrjen e këtij posti.

Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Sekretari për Çështjet Ligjore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, është shprehur i gatshëm për ta pranuar ofertën në rast se ajo do t’i propozohej. Braho është një nga specialistët më të mirë në fushën e jurisprudencës. Ai është një nga përpiluesit e Kushtetutës së Republikës dhe hartuesi i ligjit për Prokurorinë. Për tetë vitë me rradhë ai ka qenë kryetar i komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore si edhe ka qenë nënkryetar i komisionit hetimor të ngritur nga Kuvendi për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997. Në vitin 1996, Braho fitoi betejën me Komisionin e Vlerësimit të Figurave, që e nxorri atë të pastër. Ai ka qenë deputet i Partisë Socialiste e mandej i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në të cilën aktualisht mban funksionin e Sekretarit për Çështjet Ligjore.

Z.Braho, jeni përfolur kohët e fundit në korridoret e politikës si një prej kandidaturave të mundshme për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Jeni i gatshëm të pranoni një ofertë të tillë në rast se do t’ju propozohej?
Pa dyshim që nëqoftëse do të më propozohej funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm do ta pranoja pasi me modesti do të thosha që këtë detyrë do ta kryeja më mirë se kushdo qoftë. Për shumë arsye por edhe për shkak e falë përvojës sime si jurist dhe ndonjë cilësi timen.

Mendoni se kandidatura juaj do të gjejë mbështetje si nga e djathta ashtu edhe nga e majta? Pikërisht për këto arsye që përmenda më lart unë nuk është se jam plotësisht në zemrën e disa, qoftë djathtas apo majtas që bëjnë hesape kush e si na duhet Prokurori i Përgjithshëm. Gjithsesi kjo s’ka rëndësi për personin tim, pra jam a s’jam në listën e të propozuarve sepse deri më sot. Prokurorët e Përgjithshëm kanë qenë që në nisje raporte numrash e interesash politike, pak kanë qenë me integritet të plotë e të pavarur dhe të tillë e kanë patur dhe mbylljen e karrierës, të flakur në taborin e avokatëve.

Ju do të jeni një kandidaturë zyrtare e LSI? Ajo që unë mendoj se nuk shtrohet drejt është çështja e të konsideruarit e drejtë për të propozuar të njërit krah të politikës. Këtu fillon maisja e problemit sepse e konsideron Prokurorin e Përgjithshëm si prodhim safi dhe pronë të një krahu politik. Unë fjala vjen mund të isha kandidat i propozuar nga LSI-ja por ç’vlerë do të kishte kjo nëse do të kontestohesha masivisht e për cilësime fabulistike e selektive. Së fundi desha ta mbyll prononcimin tim në përgjigje të interesimit tuaj edhe me mendimin se është akoma herët të merremi me Prokurorin e Përgjithshëm. Ne kemi akoma në detyrë Prokuroren ekzistuese dhe s’është etike ta diskutojmë edhe kështu siç është. (LajmeShqip.com)