Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 16:23

Prishtinë-Zëvendës shefi i EULEX-it Andi Sparks ka deklaruar se pas qershorit do të zvogëlohet numri i pjesëtarëve të EULEX-it, por do të vazhdojë mandati ekzekutiv, sepse kjo i ofron siguri popullit të Kosovës.

Zëvendës shefi i EULEX-it Andi Sparks, në një intervistë për RTK-në, tha se Kosova nuk do të mund ta arrijë suksese, nëse asaj nuk i lejohet që t’i marr përgjegjësitë në duart e veta.

“Jemi këtu për të parë që Kosova të arrijë standardet evropiane, për të respektuar rendin dhe ligjin dhe që të përgatitet për të hyrë në Bashkimin Evropian. Unë mendoj se përkundër faktit që ka pasur shumë vëmendje që i është kushtuar EULEKS-it, disa njerëz mbase kanë pasur pritje të mëdha jo reale”, ka thënë Sparks.

Në pyetjen pse pjesëtarët e misionit EULEKS, nuk mund të qarkullojnë të lirë në veri të Kosovës për shkak të kundërshtimit të serbëve dhe barrikadave, si dhe deri kur do të vazhdojë kjo gjendje, Sparks është përgjigjur:

“Me barrikadat në veri, bllokohet Bashkimi Evropian sepse vet misioni EULEKS është Bashkimi Evropian. Sikurse u kam thënë edhe njerëzve në veri, ata po e bllokojnë edhe të ardhmen e tyre. Pra, politikisht kjo është një rrugë qorre në të cilën janë futur ata. Unë shpresoj se ata do t’i mundësojnë EULEKS-it lirinë e plotë të qarkullimit që është e nevojshme për të përmbushur detyrën tonë. Kjo natyrisht se është e ndërlidhur dhe e përzier edhe me politikën përkitazi me pikëpamjet e tyre sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Por, sikurse e kam thënë shpesh herë, unë do kisha pasur dëshirë që ata të ndalen dhe të mos e përziejnë gjithçka me këtë, sepse ne e dimë problemin e tyre. Por, ne duhet të kemi një gjuhë të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, po ashtu qarkullimit ilegal të mallrave që nuk janë të kualitetit të mirë dhe që e dëmtojnë edhe shoqërinë e tyre”, ka thënë Sparks.