Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 16:06

Prishtinë – Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes në prag të Ditës për të Pagjeturit që shënohet me 27 prill tha se janë ende rreth 1800 persona të pagjetur nga lufta e Kosovës, dhe kjo sipas tij është arsyeja pse EULEX-i i ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës në përpjekjet e tyre intensive për përcaktimin e fatit të të pagjeturve.

Në deklaratën e Sparkes thuhet se 10 vjet pasi këto ngjarje tragjike morën aq shumë jetë njerëzish, EULEX-i dhe Departamenti I Mjekësisë Ligjore vazhdojnë t’i gjejnë mbetjet e tyre.

“Ende janë rreth 1800 persona të pagjetur nga konflikti i Kosovës…Përveç kësaj, EULEX/DML bashkërendohet intensivisht me shoqatat e familjeve, familjet dhe me disa aktorë të tjerë. Gjatë kryerjes së kësaj pune, EULEX-i po ashtu mban kontakt me autoritetet serbe”, thuhet në deklaratë.

Më tej pohohet se prej kohës kur EULEX-i ka filluar të punojë me Ministrinë e Drejtësisë deri më tani janë gjetur, identifikuar dhe u janë kthyer familjeve mbi 220 mbetje njerëzore.

“Ky është rezultat i kërkimeve intensive dhe dy sezoneve të punës në terren, duke i llogaritur mbi 260 operacione në terren. Mijëra dokumente janë shqyrtuar dhe më shumë se 1300 mostra të eshtrave janë dërguar për analizë të ADN-së. Këtë vit kemi filluar ta bëjmë aftësimin e njësive të Mjekësisë ligjore lidhur me zhvarrosjen dhe hetimin e rasteve të identifikuara gabimisht”, thekson Sparkes.

Përmes kësaj deklarate për media shprehet se përveç kësaj, mjekët e EULEX-it vazhdojnë t’i mentorojnë dhe monitorojnë mjekët ligjorë vendas që të zhvillohet një departament bashkëkohor i mjekësisë ligjore.