Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 21:00

Tiranë  – “Në tërësi një pjesë e politikës shqiptare është pjesë e mafies rajonale të grupeve maqedonase, serbe, greke”. Kështu është shprehur kreu i partisë Aleanca Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu në një intervistë për portalin “Almakos”.

“Politikanët liderë shqiptarë ishin më të varfrit dhe të pangrënë 20 vite më parë, ndërsa sot janë miliarderë dhe nuk u intereson çështja kombëtare aspak po pastrimi i parave dhe pazaret e fëlliqura. E keqja e moszgjidhjes së çështjes shqiptare nuk janë as fqinjët dhe as ndërkombëtarët, por klasa jonë politike e marrë peng nga monopolet dhe kontrabanda”, është shprehur Spahiu.

Në pyetjen se a i duket normale që Gruevski të bashkëpunojë me të mbijetuarit e UÇK-së e t’i përbuzë të vrarit dhe familjarët e dëshmorëve të popullit, Spahiu ka thënë se Gruevski është problemi më i vogël se ai mbron kauzën e popullit të tij.

“Por ne duhet të reflektojmë si shqiptarë dhe të mos kemi kaq memorje të shkurtër historike për krimet dhe luftën, për premtimet dhe mashtrimet, për programet dhe pazaret e liderëve tanë politik”, deklaroi lideri i AKZ-së duke vënë theksin në faktin se maqedonasit janë duke kryer një aventurë në historinë e tyre politike dhe nëse nuk e kuptojnë në kohë ata do të jenë përgjegjës edhe para gjithë komunitetit ndërkombëtar.

“Askush nuk mund ta mbajë një martesë me forcë kur krushqit janë të ngrirë prej shumë e shumë kohësh dhe për më tepër kur “çifti” e urren njëri tjetrin. Ata po hedhin me papërgjegjshmërinë e tyre themelet e një shteti inegzistent i cili nuk mund të mbajë peng lirinë e një kombi shtetëformues si janë shqiptarët”, përfundoi Kreshnik Spahiu intervistën e tij për “Almakos”.(LajmeShqip.com)