Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 19:56

Tiranë – Aleanca Kuq e Zi thotë se një person i shfaqur në foto, gjatë një proteste përpara parlamentit në Athinë,  quhet Theofan Kaliviotis dhe është përfshirë në aktivitete kundër integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Kreu i AK-së Kreshnik Spahiu përmes disa shkresave zyrtare tregoi se Theofan Kaliviotis kreu i lëvizjes për Pavarësinë e Vorio Epirit dhe Greqinë e Madhe, është i punësuar si këshilltar i ministrit, Spiro Ksera në Ministrinë e Punës dhe Cështjeve Sociale.

“Prej disa vitesh ministri i Qeverisë së shtetasit Sali Berisha ka financuar nga buxheti i shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kreun e organizatës për Pavarësinë e Vorio Epirit dhe së bashku ata kanë hartuar planin dhe kthyer në realitet hapjen e degës së “Agimit të Artë” në Shqipëri. Vlen për t’u theksuar se “Agimi i Artë” ka mbetur në opozitë në Greqi, por në Shqipëri rezulton në pushtet dhe instancat më të larta qeveritare. Ndonëse Theofan Kaliviotis ka jetuar më shumë në Athinë se sa në Shqipëri dhe pavarësisht se nuk është paraqitur asnjë ditë në punë në ministrinë ku ai paguhet, ai rezulton që të jetë një nga zyrtarët e lartë, një nga këshilltarët më të afërt të qeverisë së shtetasit Sali Berisha”, tha Spahiu.

Kreshnik Spahiu në vijim të këtij denoncimi tha se këto fakte i janë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme.

“Aleanca Kuq e Zi i kërkon Prokurorit të Përgjitshëm Adriatik Llalla të nisë sa më parë hetimin zyrtarë dhe procedimin penal për kriminelët e “Agimit të Artë” dhe zyrtarët e Qeverisë së shtetasit Berisha të implikuar në afera që cënojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptarë dhe që abuzojnë me taksat e qytetarëve shqiptarë për të rrënuar integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Spahiu.

Kreshnik Spahiu deklaroi se kjo është dosja e parë që i adresohet Prokurorit të Përgjitshëm të Republikës së Shqipërisë për krimet e qeveritarëve shqiptarë dhe në kuadër të fushatës të AK-së “Fytyrat e Krimit”, në vijim do të dorëzohen disa dosje dhe dokumenta më të rënda premtoi Sprahiu, që hedhin dritë mbi krimet e ministrave të shtetasit Sali Berisha.(T.CH/LajmeShqip.com)