Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 15:57

Tiranë – Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu, shprehet se në 100-vjetorin e pavarësisë po punohet për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog.

“Po përgatitet seriozisht kthimi i eshtrave të MbretitZog gjatë këtij viti dhe për këtë qëllim është ngritur dhe një komision ndërministror, që kryesohet nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani”, u shpreh Spahiu, gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Bruksel, ku ndodhej për një vizitë së bashku me pretendentin e fronit mbretëror, Princin Leka, në kuadër të aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Në këtë takim, ku morën pjesë mbi 200 bashkëatdhetarë, Princi Leka theksoi se “shqiptarët duhet të kuptojnë se kur gjenden larg atdheut, nuk ka më interesa politike apo partiake, por se duhet të qëndrojnë të bashkuar”.

Kryetari i PLL-së theksoi se “në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë duhet të kujtojmë se një pjesë e historisë së shtetit shqiptar lidhet edhe me historinë e Familjes Mbretërore”.

Ai më pas vuri në dukje progresin e madh të realizuar vitet e fundit nga qeveria shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas tij, ka qënë dhe një mbështetës i fuqishëm i vlerësimit të Familjes Mbretërore. (LajmeShqip.com)