Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 15:33

Tiranë- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pranuar dorëheqjen e Kreshnik Spahiu nga posti i zv. Kryetarit të KLD-së, ndërsa ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi kërkoi që ajo të mos merrej parasysh.

Pas më shumë se 5 orë debatesh në një mbledhje me dyer të mbyllura, anëtarët e KLD-së vendosën në mënyrë unanime të votojnë kundër kërkesës së bërë nga ministri i Drejtësisë, sipas të cilit Spahiu duhet të shkarkohetj nga Kuvendi.

Mbledhja e KLD-së, e drejtuar nga Presidenti Bamir Topi, ka diskutuar mbi aktin e dorëheqjes së Spahiut, si dhe mbi kërkesën e ministrit Halimi, sipas të cilit ky akt nuk duhej të merrej parasysh.

Halimi mësohet të ketë kërkuar mosmiratimin e dorëheqjes, duke shtuar se zv. Kryetari i KLD-së duhet të shkarkohej nga Parlamenti. Por për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë e tillë e parashtruar nga ministri i Drejtësisë nuk mund të merrej parasysh përderisa Spahiu kishte dhënë dorëheqjen nga funksionet në këtë institucion.

Spahiu dha dorëheqjen vetëm pak ditë më parë, në kohën që deklaroi se do t’i drejtohej me një ankesë Gjykatës Kushtetuese për cështjen e komisionit hetimor dhe nisjes së procedurave për shkarkimin e tij.