Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 08:23

Shkodër (E PLOTËSUAR 11:53) – Procesi i votimit në komunën Shalë në pesë qendrat e votimit të rrethit të Shkodrës po zhvillohet normalisht pas dy dështimeve të zhvillimit të procesit të votimit në raundet e mëparshme.
Në garë për kreun e kësaj komune janë kreu aktual, Dedë Tonaj i Partisë Demokratike që kandidon për grupimin “Aleanca për qytetarin” dhe Bal Vuksani që kandidon për  “Aleanca për të Ardhmen”.
Burime nga policia e qarkut Shkodër bën të ditur se pas masave të marra një ditë më parë, procesi ka filluar normalisht në të pesë qëndrat e votimit. Ndërkohë mësohet se në qëndrën e fshatit NanMavriiç, procesi është bllokuar për momentin. Sipas informacionit të marrë, bllokimi i përkohshëm i procesit është për arsye teknike, ndërkohë që drejtues të  KZAZ-së po punojnë për sqarimin e problemit, në mënyrë që edhe këtu procesi të vijojë normalisht.

*************************

Tiranë – Për të tretën herë në komunën Shalë (qarku Shkodër) mbahen sot zgjedhjet  për kryetar të kësaj njësie zgjedhore, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Zgjedhjet e mbajtura më 8 maj në këtë komunë u shpallën të pavlefshme nga KQZ, e cila kërkoi përsëritjen e tyre më 31 korrik. Por, mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve të dy partive, PD dhe PS, penguan zhvillimin e procesit, i cili u shty më 21 gusht.

Një ditë më parë, KQZ, përmes zëdhënësit Leondard Olli, shprehu shqetësim se procesi mund të dështojë sërish për shkak të tentativave të PS-së dhe PBDNJ-së, për të mos plotësuar detyrimet e tyre ligjore në komisionet zgjedhore.

Komuna Shalë përfshin pesë qendra votimi dhe ka 2800 zgjedhës me të drejtë vote.