Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 18:15

Tiranë – Fëmijë, të rritur e të moshuar, u mblodhën mëngjesin e sotëm pranë kodrave të liqenit, për të vrapuar me synim tërheqjen e vëmendjes dhe mbledhur fonde për fëmijët jetimë, në kuadër të aktivitetit “Run for the Children”, të vraposh për fëmijët, të organizuar nga fondacioni “Response for the Diplomatic Corps” (MRDC).

Drejtori i MRDC, Dr. Charles Linderman, tha gjatë zhvillimit të maratonës, se “Ky aktivitet ka një interes të pastër në drejtim të fëmijëve jetimë. Ne sot duam të mbledhim fonde për këtë kategori fëmijësh si, dhe për jetimoret në Shqipëri”.

Sipas Linderman, “në Shqipëri ekziston një dashuri e madhe dhe e bukur për fëmijët jetimë, prandaj dhe ne kemi rreth 7 vjet që zhvillojmë aktivitete të kësaj natyre”.

Ai bëri të ditur se mbështetës të kësaj maratone janë edhe Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasada e Britanisë së Madhe, Energji Ashta, AMC, Intesa San Paolo, Spitali Hygeia, Sheraton, Rogner.. etj.

Ndërkohë, David Starlings, punonjës i Ambasadës Amerikane në Tiranë, tha se është emocionuese të marrësh pjesë në një maratonë, ku të gjitha të ardhurat do të shkojnë për fëmijët jetimë. “Çdo hap i yni, çdo frymëmarrje e jona do të jetë e vlefshme për këta fëmijë”, theksoi ai duke shtuar se “të gjithë, në një mënyrë apo tjetër, duhet të fokusohemi tek fëmijët jetimë, pasi ata janë një pjesë speciale e shoqërisë sonë”.

Maratona “Run For the Children” e ka zanafillën e saj nga Bob Kliner, i cili ka vrapuar për 27 km i mbështetur nga një turmë e madhe njerëzish në Cleveland dhe arriti të ngrejë mbështetje financiare në vlera të konsiderueshme për babain e tij të sëmurë me kancer, dhe pjesën tjetër të këtij granti e vuri në dispozicion të Shoqatës Amerikane kundër Kancerit për studime në këtë fushë.