Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 10:22

Dy protesta janë paralajmëruar për të hënën në mbështetje të Oliver Ivanoviqit dhe Dragan (Dragolub) Delibashiqit, me kërkesën që ata të lirohen dhe të mbrohen nga liria.

Njëra protestë do të mbahet në orën 10:00 para Gjykatës në veri të Mitrovicës, ndërsa protesta tjetër në mesditë në Prishtinë, para selisë së EULEX-it. Me protestë do të kërkohet lirimi i Ivanoviqit dhe Delibashiqit dhe mbrojtja e tyre nga liria.

Ata janë të vetmit nga grupi prej pesë serbëve, të cilët janë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, me akuzën për krime të luftës të kryera në prillin e vitit 1999 në jug të Mitrovicës dhe për vrasjen e 10 shqiptarëve, plagosjen e 25 të tjerëve, keqtrajtimin e mbi 90 shqiptarëve dhe dëbimin nga banesat dhe pronat e tyre në veri të Mitrovicës, të mbi 12 mijë shqiptarëve, të kryera me 3 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, të cilët kanë mbetur në dhomat e paraburgimit, të paktën edhe për dy muaj të tjerë, pasi që trupi gjykues i EULEX-it ua ka vazhduar paraburgimin deri më 6 tetor.

Mediet serbe kanë thënë se protestat në Mitrovicë dhe në Prishtinë i organizojnë vetë qytetarët, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë dhe familjarë të Ivanoviqit e Delibashiqit, në mbështetje dy serbëve, për të cilët do të kërkohet që të lirohen dhe të mbrohen nga liria, siç ka qenë rasti me tre serbët e tjerë të këtij grupi, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Llazoviq, shkruan ‘Zëri’.

Oliver Ivanoviqit, lideri të SDP, i ofrojnë mbështetje të fuqishme i gjithë publiku i Serbisë, qeveria dhe kreu i shtetit serb, ndërkaq për kolonelin e pensionuar të MUP-it serb, Dragan Delibashiq, nuk ka pothuajse asnjë interesim, ndërkohë dëshmitarët e deritashëm e kanë identifikuar Delibashiqin, si njeriun që bashkërisht me Ivanoviqin ka komanduar grupet e serbëve për t’i vrarë shqiptarët, plagosjen, keqtrajtimin dhe dëbimin e tyre nga veriu i Mitrovicës.

Lideri më i njohur i serbëve të veriut të Kosovës, Oliver Ivanoviq, menjëherë pasi që është njoftuar për vazhdimin e paraburgimit ka filluar grevën e urisë, ndërsa nëpërmes një letre i është drejtuar opinionit, me të cilën ka treguar shkaqet që e kanë çuar deri te vendimi për grevë.

Protesta para Gjykatës në Mitrovicë do të mbahet në orën 10:00, ndërsa ajo para selisë së EULEX-it në Prishtinë, në të cilën, siç thonë mediet serbe, do të marrin pjesë intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, si dhe familjarë të Ivanoviqit e Delibashiqit, do të mbahet në mesditë.

Delibashiq është arrestuar 10 ditë pas Oliver Ivanoviqit, më 4 shkurt 2014 dhe prej atëherë ndodhet në paraburgim në Burgun e Mitrovicës. Miodrag Bërklaq, avokat i Delibashiqit, ka thënë se paraburgimi klientit të tij i është vazhduar padrejtësisht. “Si mbrojtje ndihemi të pezmatuar. Kemi pritur lirimin e të dy atyre, Ivanoviqit e Delibashiqit që të mbrohen nga liria. Ata ndodhen që 19 muaj në paraburgim, ndërsa seanca e radhës është tek më 10 shtator”, ka thënë Bërklaq, i cili ka përsëritur se asnjë prej 47 dëshmitarëve të deritashëm, nuk e ka identifikuar Delibashiqin si pjesëmarrës direkt në ngjarje.

Se vazhdimi i paraburgimit për Ivanoviqin është i “pabazuar”, ndërsa procesi gjyqësor i paarsyeshëm, e ka thënë edhe kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq.

“Gjithë opinionit i është e njohur se deri më tani në rastin ‘Ivanoviq’ janë dëgjuar 47 dëshmitarë, nga të cilët asnjë nuk e ka akuzuar për vepra që i vihen në barrë. Rast i njëjtë është edhe me katër serbët tjerë, për të cilët dëshmitarët e deritashëm nuk kanë pasur asnjë dëshmi që i lidh me aktakuzën”, ka thënë mes tjerash kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq. /Zëri/