Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 09:00

Tiranë – Kuvendi në seancën e sotme plenare pritet t’i heqë imunitetin tre deputetëve të PS-së Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj për t’i hapur rrugë hetimit të tyre lidhur me rolin në protestën e 21 janarit 2011.

Pro heqjes së imunitetit të tre deputetëve socialistë do të votojë dhe grupi parlamentar i PS-së. Dy ditë më parë kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi se opozita do të mbështesë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit tre deputetëve, për të vijuar me hetimet për 21 janarin.

Në seancën e sotme tre deputetët në fjalë pritet të japin shpjegime rreth kërkesës së organit të akuzës. Më 27 janar ata iu drejtuan me një letër Këshillit të Rregullores dhe Mandateve ku shpreheshin dakord me heqjen e imunitetit të tyre, ndërsa theksuan se sqarimet në lidhje me këtë çështje do t`i japin në seancën e sotme në parlament.

Sipas rregullores Këshilli i Mandateve do të paraqesë në Kuvend dy raporte të veçanta (nga maxhoranca dhe opozita) lidhur me heqjen e imunitetit, të cilat nuk do diskutohen. Më pas Kuvendi do të votojë në mënyrë të fshehtë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të majtë.