Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:19

Prishtinë – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta shqyrtojë sot raportin tremujor të kreut të OKB-së për gjendjen në Kosovë.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot debatohet për zhvillimet e fundit në Kosovë. Këshilli do të shqyrtojë raportin tremujor të sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon.

Në raportin e tij, Ban Ki Mun shpreh kënaqësi për fillimin e dialogut Prishtinë-Beograd, duke vlerësuar se mbajtja e rregullt e takimeve me ndihmën e BE-së është zhvillim inkurajues.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së u bënë thirrje të dyja palëve ta forcojnë angazhimin dhe t’i dyfishojnë përpjekjet për harmonizimin e qëndrimeve në çështjet kryesore të bisedimeve.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, gjithashtu, bën thirrje për hetime të paanshme dhe të pavarura mbi aferën për trafikimin e organeve si dhe për një program të fuqishëm të mbrojtjes së dëshmitarëve.

Në raportin e tij për periudhën prej 16 janarit e deri më 15 prill të këtij viti, sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun, theksoi se “UNMIK-u është i gatshëm ta zgjerojë bashkëpunimin e tij të plotë me çfarëdo hetimi, që mund të udhëhiqet”.

Ndërkohë, bëhet e ditur se Franca, e cila aktualisht kryeson me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e ka futur në rend dite kërkesën e Serbisë për aferën e trafikimit me organe njerëzore në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme të KS në rend të ditës  do të jetë vetëm raporti i rregullt tremujor i kreut të OKB së Ban Ki Mun për gjendjen në Kosovë.

Kosovën në këtë debat e përfaqëson ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.