Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 09:30

Tiranë – “Shërbimi i noterëve ka një rëndësi jetike në luftën kundër formës më të egër të krimit të sotshëm, krimit financiar dhe pastrimit të parave”, tha sot, Kryeministri Sali Berisha gjatë Kongresit të Parë të Noterëve Shqiptarë, që u organizua në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit, në Tiranë.

“Të gjitha vëzhgimet që lidhen me terrorizmin tregojnë se ai ka një mekanizëm pa të cilin nuk mund të ekzistojë dhe ky është larja e parave. Kontributi juaj në këtë fushë është jetik dhe vendimtar”, tha Berisha

Sipas tij “lufta kundër pastrimit të parave është një luftë për sigurinë dhe është jetike për tregun e lirë”. “Nuk ka rrugë më të sigurt për të parandaluar krizat ekonomike, për të shpejtuar zhvillimin dhe prosperitetin se sa përpjekja e një shteti dhe një shoqërie për garantimin e lirisë së tregut”, tha Berisha

Duke vlerësuar trashëgiminë e shkëlqyer shekullore të noterisë shqiptare, Berisha tha se “ka një vendosmëri të madhe për të reformuar gjithnjë e më shumë këtë sistem themelor për shtetin, shoqërinë, ligjin dhe ekonominë”.

Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që noterët të shndërrohen në njërin nga shërbimet më moderne dhe transparente në Shqipëri dhe Evropë. “Konstatoj me kënaqësi vullnetin tuaj për të reformuar në drejtimet më pozitive këtë shërbim jetik për shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut dhe për të ngritur në nivele më të larta kualifikimin e shërbimit”, tha Berisha.

Në këtë drejtim, Berisha shprehu bindjen se zgjerimi i përgjegjësive, kompetencave dhe funksioneve të noterëve do të sjellë shërbimet më të mira, më pak burokratike, më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët”.

“Gjatë këtij viti ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismat ligjore për të transferuar te ju përgjegjësi që më parë ishin në Zyrat e Pasurive të Paluajtshme në mënyrë që të ofrojmë shërbimet më të shpejta për qytetarët shqiptarë. Transparenca është jetike për veprimtarinë e çdo zyrtari”, tha Berisha.