Lajme Shqip Thursday, 08 August 2013 13:33

Tiranë – Mijëra besimtarë dhe besimtare myslimane festojnë festën e Bajramit të Madh. Rreth orës 6 të mëngjesit bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte mbushur plot me burra dhe gra myslimane që sipas traditës fetare kanë falur namazin e Bajramit të Madh.

“I madhi Zoti, juve këtu, familjeve tuaja dhe përtej gjithë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë, qytetarëve të tjerë po ashtu, gjithë shqiptarëve që gjenden në trojet shqiptare dhe diasporë iu uroj prej të madhit Zot përzemërsisht, njësoj sikurse uron zemra dhe shpirti i gjithësecilit prej jush për shumë vjet një Bajram të begatë, një vazhdimësi pas Bajramit, duke jetuar dhe duke dhënë shembullin si myslimanë dhe qytetarë të denjë dhe të aftë të përballojmë sfidat e kohës, e vendit dhe ato me të cilat në duhet të përballemi. Zoti në e lehtësoftë, Zoti na ndihmoftë, Zoti na nderoftë dhe Zoti të na udhëheqë drejt pozitives”, tha në fjalën para besimtarëve, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
Dita e Fiter Bajramit festohet pas 30 ditë agjërimi të Muajit të Ramazanit, ku besimtarët myslimaneëushqehen vetëm në vaftet syfyr në mëngjes e iftar në darkë si një sakrificë për të pastruar shpirtin nga mëkatet e bëra gjatë vitit. 
Pas 30 ditë agjërim besimtarët i falen Zotit për më shumë paqe dhe mirësi ndërmjet tyre.

Sipas traditës, festa e Bajramit të Madh vazhdon më pas në shtëpitë e besimtarëve myslimanë me drekën tradicionale ku ftohen më të afërmit për ta kaluar bashkarisht dhe të gëzuar këtë ditë të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.

Një ditë më parë, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça uroi të gjithë besimtarët me rastin e festës.

“Unë i uroj të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar Fiter Bajramin. Paqe, dashuri, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja festa e Bajramit. Zoti thotë: Për mua agjeruat në Muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim, falët Namazin e Bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja, të pastër dhe të falur nga gjynahet. Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe vendin tonë!”, tha në urimin e tij, kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça. /TopChannel/

Fitër Bajrami në Kosovë 
Prishtinë – Besimtarë mysliman, në Kosovë dhe në mbarë botën sot festojnë festën e Fitër Bajramit, pas plot 1 muaji agjërim.
Kjo ditë për besimtarët myslimanë është një ditë feste dhe paqeje, e cila mëshiron virtytet më të larta, ndërsa besimtarët i shprehin lavde dhe mirënjohje Allahut.
Ceremonia e faljes së Bajramit u bë si çdo vit në Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” (Xhamia e Madhe) në Prishtinë.
Manifestimi filloi në orën 5:00 me faljen e namazit të Sabahut. Kurse namazi i Fitër Bajramit u fal në orën 6:12 minuta, të cilit i priu dr. Hajredin Hoxha.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, i ka përshëndetur të gjithë besimtarët duke u lutur për ta që Allahu t’ju ketë pranuar agjërimin, ibadetet dhe adhurimet të cilat sipas tij i kemi bërë bashkërisht gjatë këtij muaji të shenjtë të ramazanit.
“Duke u bazuar në parimin se të gjithë jemi njerëz, dhe bijtë e Ademit dhe Havasë, ju ftoi që mes njerëzve të dominoi uniteti, vëllazërimi, harmonia, solidariteti dhe bashkimi i ndërsjellë, sepse vetëm kështu jeta do ta ketë kuptimin e saj”, tha ndër të tjera Myftiu i Kosovës.
“Anë e këndë botës është dita e Fitër Bajramit, ditë e cila qetëson zemrat e besimtarëve pasi që ata veç kanë kryer me devotshmëri një prej obligimeve kyçe në islam, agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit”, ka thënë Tërnava.
Tërnava, duke u drejtuar kah besimtarët ka shtuar se me agjërimin e Ramazanit, besimtarët etjen dhe urinë i zëvendësuan me ushqim shpirtërorë dhe kanë treguar përkushtim dhe devotshmëri ndaj Allahut.
“Nisur nga këto parime shumë net i kaluam pa gjumë, i përballuam me nder e fisnikëri edhe temperaturat e larta përballuam etjen dhe urine duke i zëvendësuar me ushqim shpirtërorë të cilin si asnjë muaj tjetër na solli muaji i bekuar i ramazanit. Iftari dhe syfyri dy momente shumë të rëndësishme dhe domethënëse ku qartë vije në provë besimi dhe përkushtimi e de devotshmërie ndaj Allahut”, ka shtuar Tërnava.
Ndryshe, Fitër Bajrami, është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit. /Kosovapress/ TopChannel/Lajmeshqip/