Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 10:57

Prishtinë – Sot në Kosovë arrin për një vizitë dyditore ministri gjerman i Mbrojtjes, Tomas de Mazier.

Ai do t’i vizitojë trupat gjermane në kuadër të KFOR-it, ndërsa sot do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Hashim Thaçi. Ministri gjerman i mbrojtjes dhe kryeministri Thaçi gjatë takimit do të bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërsa theks i veçantë do të vendoset në kontributin e ushtarëve gjermanë në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.

Bundesveri gjerman është një nga partnerët e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ndërsa Ministria gjermane e Mbrojtjes ka ndihmuar FSK-në në fillet e saj me 200 automjete ushatarake.

Nesër, në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë Ministri gjerman i mbrojtjes Tomas de Mazier do të zhvillojë një takim edhe me ministrin e FSK-së Agim çeku.

Ministri gjerman i mbrojtjes Tomas de Mazier është ndër bashkëpunëtoret më të ngushtë të kancelares Angela Merkel. Ai ka qenë një kohë të gjatë këshilltari kryesor i saj, kurse para se të merrte detyrën e ministrit të Mbrojtjes, ka qenë ministër i Brendshëm.