Prishtinë-Presidenti Ibrahim Rugova ka dhënë një kontribut të veçantë, duke afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ne gjithmonë kultivojmë respekt të lartë për atë se çfarë ka bërë për Kosovën dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, tha kryetari Isa Mustafa gjatë homazheve tek varri i presidentit të ndjerë të Kosovës, me rastin e ditëlindjes së tij të 67-të.
Lidhja Demokratike e Kosovës e kujton presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, si një njeri i cili ka dhënë shumë për ndërtimin e një shteti të fortë dhe të qëndrueshëm. Kështu u shpreh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, derisa bëri homazhe të varri i ish-presidentit të ndjerë, me rastin e ditëlindjes së tij të 67-të.
“ Këto mbesin motot tona të përhershme që ne të punojmë, e ta forcojmë këtë shtet, lirinë e vërtetë të qytetarëve, dhe po ashtu të forcojmë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që Kosova të bëhet një shtet konkurrent, jo vetëm në regjion por edhe në Evropë, një shtet që do të respektohet edhe nga vendet e tjera. Presidenti Rugova ka dhënë një kontribut të vecantë, mënyra e tij e komunikimit ka qenë e respektuar nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë”-deklaroi Mustafa.
Mustafa shoqërohej edhe nga anëtarët e kryesisë së LDK-së. Sabri Hamiti tha se ideja dhe vizioni Rugova, është i gjallë dhe shumë produktiv për Kosovën i cili ka të bëjë me insistimin për të krijuar një koncensues të forcave diturore dhe politike të Kosovës dhe për ta bërë atë shtet me institucioneve demokratike.
Kryetari Mustafa së bashku me kryesinë e LDK-së më pas kanë vizituar edhe familjen e ish presidentit Rugova.