Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:20

Elbasan – Në  ditën botërore kundër HIV – AIDS ne Elbasan janë zhvilluar aktivitete të shumta  me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave  9-vjeçare dhe atyre të mesme  jo vetëm të  qytetit, por edhe të komunave te ndryshme  të këtij rrethi.

Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan  dhe  disa OJF-lokale, si edhe Kryqi i Kuq dega Elbasan, zhvilluan në sheshin kryesor të qytetit të Elbasanit një parakalim  me qëllim sensibilizimin e njerëzve për të  luftuar  me të gjitha mjetet dhe në çdo kohë  sëmundjen e shekullit, e cila prej vitesh ka prekur edhe  Shqipërinë.

Në Elbasan aktualisht numërohen rreth 17 persona  mes të cilëve edhe një i mitur me këtë sëmundje.

Koordinatorja e projektit në Kryqin e Kuq Dega Elbasan, Manjola Rukaj, tha se “sëmundja e SIDA-s në Shqipëri ka filluar të jetë prezente pas viteve ’90-të. Me ndryshimet e mëdha që ndodhën tek ne u krijuan kushtet e favorshme që kjo sëmundje të hynte edhe në vendin tonë”.

Sipas saj, “e vetmja mënyrë për të njohur se je i infektuar me virusin është bërja e analizave të gjakut”. Prej tre vjetësh në qytetin e Elbasanit është hapur edhe qendra e diagnostifikimit të virusit HIV AIDS.

####

Tiranë – Shqipëria mbetet një vend me prevalencë të ulët të HIV/AIDS, ndërsa, së bashku me Kombet e Bashkuara po punon për përmbushjen e objektivit “Zero infeksione, zero vdekje, zero diskriminim”. Në Ditën Botërore të luftës kundër HIV/AIDS, MSH dhe OKB kanë bërë thirrje për rritjen e testimeve dhe këshillimeve vullnetare për HIV.

“Sot lexojmë strategji të përpunuara në nivel botëror dhe ku Shqipëria ka qënë aspiruese e tyre. Këto rezultate tregojnë se strategjitë e zgjedhura dhe pozicionet e mbajtura kanë qënë efikase. Të dhëna interesante  tregojnë se  mbas ’97 shifrat e reja të infeksioneve kanë rënë 20 për qind, që nga ana epidemiologjike është shumë sinjifikante dhe ka shmangur 2.5 milion vdekje nga AIDS në botë, do të thotë që këmbëngulja të shpërblen  me rezultate të mëdha dhe të rëndësishme”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një konferencë për mediat, mbajtur në Hotel “Tirana International”, në çelje të aktiviteteve të ditës së sotme.

Sipas tij, Shqipëria duke mbajtur pozicionin e saj si vend me prevalencë të ulët, ka qënë më afër realizimit të objektivave.

Ministri Vasili e vuri theksin tek niveli i ulët i testimeve vullnetare për HIV/AIDS, duke apeluar për më shumë punë në këtë drejtim. “Në të gjithë vendin funksionojnë 16 qendra të testimit vullnetar konfidencial që funksionojnë mirë dhe me nivel maksimal të saktësisë. Por është me vend të tërheqim vëmendjen për nivelin e testimit vullnetar, duhet të promovohet kërkesa e qytetarëve për të marrë këtë shërbim, që është vullnetar dhe falas”, tha Vasili.

Ai u ndal tek diskriminimi ndaj personave HIV +, duke theksuar se rezultatet në të gjithë botën dhe në Shqipëri janë spektakolare në këtë drejtim. “Sëmundja përballet si një sëmundje që ka specifikat e veta.  Ne po punojmë fot që diskriminimi të mos jetë askund dhe në asnjë rrethanë.  Shqipëria i bashkohet kësaj sfide në të tri komponentët e saj”, tha Vasili.

Gjatë këtij viti, sipas tij, në vendin tonë janë bërë hapa të rëndësishëm . Me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar rregullorja  për parandalimin e infeksioneve të HIV AID në institucionet e edukimit, institucione rezidenciale të përkujdesit shëndetësor. “Në qëndër të vëmendjes tonë ka qënë dhe puna për parandalimin e transmetimit të infeksionit nga nëna tek fëmija”, nënvizoi më tej ministri Vasili.

Gjatë këtij viti, janë identifikuar 65 raste të reja HIV pozitiv, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 478, bëhet e ditur nga Instituti i Shëndetit Publik. Të dhënat nga ISHP, flasin për 335 meshkuj HIV pozitiv dhe 143 femra, si dhe 24 fëmijë nën moshën 15 vjeç. Të dhënat flasin për 92 vdekje nga AIDS. Ndërkohë, në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, me një total 92%.

Në Ditën Botërore të Luftës kundër HIV/AIDS janë organizuar një sërë aktivitetesh me qëllim informimin e popullatës për këtë sëmundje.

Rrjeti për HIV/AIDS, Drogat dhe Shëndetin Riprodhues, përmes një deklarate, drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, apeluan për veprime urgjente për të zgjidhur sfidën e financimit për ta mbajtur Shqipërinë vend me prevalencë të ulët të HIV dhe për të mos rrezikuar në një përshkallëzim të saj.