Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 12:11

Prishtinë – Sot pritet të arrijë në Kosovë një pjesë e kontingjentit të ri të trupave shtesë të NATO-s. Gjermania dhe Austria i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së NATO-s, për kontigjentin e përbërë prej 700 ushtarësh.

Një pjesë e këtij kontongjenti pritet të arrijë sot. Gjermania do të dërgojë 550 ushtarë, ndërsa Austria 150. Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Vihter, tha se forca kryesore do të arrijë gjatë ditëve të ardhshme.

Nga ana tjetër gjendja në veri paraqitet të jetë e qetë, por me tensione. Gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur takime në mes të komandantit të KFOR-it Erhard Byhler me përfaqësuersit serbë, por pa ndonjë rezultat.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Vihter tha se takimet e tilla do të vazhdojnë edhe sot, por nuk saktësoi kohën dhe formatin e takimit.

Serbët edhe mbrëmë kanë qëndruar pranë barrikadave, ndërsa në Rudare gjatë natës ata kanë vënë një kryq prej shtatë metrash, siç ka raportuar edhe portali LajmeShqip.com.

Zyrtarët serbë Borisllav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq, sot, herët në mëngjes kanë zhvilluar takime me zyrtarët lokalë serb të Zveçanit. Ndërsa, mediave serbe iu kanë thënë që takimet me komandantin e KFOR-it do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe se pala serbe do të dalë me propozim konkret. (LajmeShqip.com)