Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 14:12

Tiranë-  Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi kërkoi sot, për zgjidhjen e çështjes së strehimit të disa familjeve të komunitetit rom.

Në një deklaratë për mediat pas takimit me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, Ambasadori Sequi informoi se “në marrëveshjen financiare prej 82 milion euro, të nënshkruar sot mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, një
komponent me vlerë 1.5 milion euro është në ndihmë të komunitetit rom”.

Duke theksuar rëndësinë e integrimit të komunitetit rom në shoqëri, ambasadori Sequi tha se, “1 nga 12 rekomandimet e BE-së që i drejtohen Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ka të bëjë me
integrimin e komunitetit rom’.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi shprehu besimin e zgjidhjes së problemit të familjeve rome të strehuara në institucionin e Avokatit të Popullit. Besoj që kjo çështje do të zgjidhet në të mirën e të gjithëve”, tha ai. 

Prej ditës së djeshme, 8 familje nga komuniteti rom kanë ngritur çadrat e tyre në institucionin e Avokatit të Popullit, pas dëbimit të tyre nga një tokë në periferi të Tiranës.

***********************

Tiranë- Avokati i Popullit,  Igli Totozani kërkoi sot nga autoritetet e shtetit zgjidhjen e problemit të strehimit për disa familje të komunitetit rom.

Tetë familje nga ky komunitet kaluan natën e djeshme në mjediset e Avokatit të Popullit,  pas shpërnguljes së tyre nga një zonë periferike e Tiranes.

Avokati i Popullit, Totozani, duke folur për çështjen, tha se, 8 familjet rome të strehuara në institucionin e tij, do të qëndrojnë  deri sa të zgjidhet problemi i tyre.

Në një deklarate për mediat,  pas takimit me ambasadoren zviceriane në Tiranë,  Yvana Enzler, Totozani theksoi se shpreson në një zgjidhje të shpejtë të problemeve të strehimit për familjet rome.

“Shpresoj për një zgjidhje sa më të shpejtë të problemeve të tyre. Kam një infomacion që gjërat kanë nisur të lëvizin, por ende nuk ka asgjë konkrete. Këta njerëz janë këtu dhe këtu do të rrinë derisa të zgjidhet probleme i tyre”, tha  Totozani, duke shtuar se,  institucioni i Avokatit të Popullit do të mirëpresë çdo person që ka nevojë.

Ndersa, ambasadorja zviceriane Enzler kërkoi angazhimin e autoriteteve shteterore  për zgjidhjen  afatgjate për komunitetin rom.

Prej dites se djeshme,  8 familje rome ngriten çadrat e tyre në oborrin e Avokati të Popullit, pas debimit te tyre nga pronari i nje toke në periferi të Tiranës. Ndërkohë që, gratë dhe fëmijët romë e kaluan natën e ftohte në ambjentet e brendshme të institucionit.