Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 12:51

Tiranë – Kompleksi i Ri Parlamentar i Shqipërisë, i paraparë të ndërtohet në vend të objektit Piramida, në Tiranë, ka ngjallur reagime të ashpra te kryeqytetasit.

Në mbrëmjen e sotme është paraparë tubim i madh i shumë qytetarëve tiranas, në mesin e të cilëve edhe intelektualë e arkitektë të shumtë, njerëz të kulturës dhe organizata joqeveritare, për ta kundërshtuar vendimin për rrënimin e Piramidës, e shndërruar në vitet e fundit në Qendër Ndërkombëtare të Kulturës.

Ky aktivitet kundërshtues nuk është organizuar nga asnjë parti politike, por nga vetë qytetarët.

Tubimi i madh nis në orën 19:30 dhe nga aty do të dalë një peticion kundër rrënimit të Piramidës dhe zëvendësimit të saj me ndonjë objekt tjetër.

Kuvendi Shqipërisë ka miratuar ditë më parë vendimin për shembjen Piramidës dhe ndërtimin e Kompleksit të Ri Parlamentar, por kanë qenë të menjëhershme reagimet qytetare kundër këtij vendimi.

Piramida është një prej objekteve më të veçanta të arkitekturës tiranase të gjysëmshekullit të fundit. (LajmeShqip.com)