Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 12:06

Tiranë – Partia Socialiste mbledh sot pasdite kryesinë e saj për të miratuar listën e kandidatëve për kryetarë të njësive të qeverisjes vendore, për zgjedhjet e 8 Majit.

Mbledhja e sotme e kryesisë, e paralajmëruar për në ora 17:00, pritet të fiksojë përfundimisht emrat e kandidatëve për 383 njësitë vendore në shkallë vendi, të cilat duhen zyrtarizuar brenda datës 28 mars, kur është edhe afati i fundit ligjor i regjistrimit të tyre në KQZ.

Ndërsa për bashkinë e Tiranës kryetari aktual i saj, Edi Rama, dy ditë më parë konfirmoi rikandidimin për një mandat të katërt, sot socialistët do të shpallin dhe emrat për njësitë e tjera vendore.

Në zgjedhjet vendore të 8 majit PS kryeson koalicionin e majtë “Aleanca për të Ardhmen”, të përbërë  nga 23 parti.

Kryesia e PS-së pritet të diskutojë sot dhe për qëndrimet politike të saj, pas ftesës së fundit të bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, për t’u ulur në një tryezë të përbashkët për zgjedhjet e 8 majit.