Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:00

Tiranë – “Sllovakia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE”, deklaroi  Presidenti i Sllovakisë, Ivan Gasparoviç, gjatë dorëzimit tre ditë më parë të  Letër Kredencialeve nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Sllovaki, Agim Isaku.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në fjalën e tij, Ambasadori Isaku theksoi se “hapja e Ambasadës së Shqipërisë për herë të parë në Sllovaki, është shprehje e vullnetit politik të Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve”.

Ndërsa Presidenti Gasparoviç vlerësoi hapjen e Ambasadës shqiptare në Bratislavë si dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Ai tha se Sllovakia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqiperisë në BE.

Gjatë takimit, Ambasadori informoi mbi rolin dhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajon, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në takimet e iniciativat rajonale e më gjerë.