Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 15:33

Prishtinë – Sipas një komunikate të lëshuar nga Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, “një kompani, e quajtur Business Initiative Direction (Drejtimi për Nismat Biznesore), “i mashtroi” mashtruesit që po na mashtrojnë, rektorin Mujë Rugova dhe prorektorin për marrëdhënie ndërkombëtare Naser Mrasorin. Kjo kompani, e dërgoi mesazhin mashtrues në adresën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe ky institucion mashtrimin e propozuar na e drejtoi neve”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Sipas SKV, Business Initiative Directions (BDI), është e njohur për mashtrimet që i ka bërë më herët. Rasti më i hapur është kur BDI i ka dërguar mesazh të tillë një kompanie nga Botswana, për performancë të mirë biznesore në vitin 2010. “Por, problemi ishte që kjo kompani nuk punonte që nga viti 2003”, thonë në SKV.

Sipas SKV, ajo që kërkon BDI nga viktimat e mashtrimit të saj, është pagesa prej minimum 3.800 euro për ta blerë medaljen dhe pjesëmarrjen në një gala mbrëmje ku ndahen çmimet, për ata që i kanë blerë ato.

“Ndërsa çfarë ofrojnë është: një dhomë gjumi ,një certifikatë, një buton dhe një fotografi. Kjo fotografi publikohet në disa revista, e të gjitha ato janë të dyshimta sepse publikojnë informatat e njëjta dhe kanë të njejtin sponsorizues, për të cilin nuk dihet shumë sepse nuk mund të gjenden të dhëna”, theksojnë aktivistë të Lëvizjes SKV.

SKV thotë se mbetën të befasuar nga lajmi që UP po shpërblehej me medalje të artë për cilësi, menaxhim dhe rezultate të vazhdueshme. Kjo, sipas SKV-së, po ndodhte në kohën kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po i rrahte studentët e UP-së, kur Rektorati po i shkelte në mënyrë flagrante të Drejtat e Njeriut (siç u deklarua KLDMNJ), kur UP-ja po udhëhiqej nga një i pensionuar, kur në prokurori po dorëzoheshin dokumente për keqpërdorime në UP, kur në Universitet nuk ka literaturë, kur në Universitet nuk ka hapësirë të nevojshme për studim, kur në Universitet nuk ka investime në cilësinë e studimeve. “Dhe befasia jonë ishte me vend. Ky ishte vetëm një mashtrim, pjesë e të cilit janë rektori Mujë Rugova dhe prorektori Naser Mrasori”.

SKV vlerëson se është e turpshme se si udhëheqësi i institucionit kryesor të Arsimit të Lartë në Kosovë bënë gafa të tilla. “Në vend se ai të ishte një intelektual që zhvillon mendimin kritik në Kosovë, ai bëhet palaço i mashtrimeve. Mujë Rugova, në fund të mandatit të tij të paligjshëm si Rektor i UP-së, më çdo kusht po mundohet të krijojë e të marrë çmime. Ai së fundmi ia dha vetes titullin “Profesor Emeritus”, ndërsa tani e pranoi medaljen e artë të mashtrimit”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore për Barazi, SKV.

SKV u bën thirrje mediave të vendit që t’i shfrytëzojnë aftësitë dhe kapacitetet e tyre për ta zbardhur edhe më shumë këtë rast. Ndërsa, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, lidhur me çmimin e “fituar”, SKV ia parashtron këto pyetje:

1. A është vlerësuar UP-ja nga ndonjë komision? Nëse po, kur?
2. Si është krijuar kontakti me BDI dhe si është kumtuar lajmi për “medaljen për cilësi”?
3. Cilat janë shpenzimet që janë krijuar nga kjo ngjarje (pagesa e pjesëmarrjes, pagesa e biletave të udhëtimit, pagesa e hotelit, pagesa për ushqim etj.)? Ditë më parë, Universiteti i Prishtinës, përmes një komunikate për medie, lajmëroi se është laureuar me çmim për cilësi në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (K.N)