Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 10:20

Prishtinë – Studentët e organizatës për “Studim Kritikë Veprim”, janë mbledhur në shenjë proteste para hyrjes kryesore të ndërtesës së rektoratit të Universitetit të Prishtinës, siç thuhet në komunikatë për  njohjen e të gjitha të drejtat si studentë të rregullt të Universitetit të Prishtinës të Durim Jasharajt dhe Rron Gjinovcit.

Me tej në komunikatë thuhet se vendimi për moslejimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet studentore të këtij viti është i pabazuar në Rregulloren për Zgjedhje të UP-së, në Statutin e UP-së apo në Ligjin për Arsimin e Lartë, është vendim i motivuar politikisht.

“Frika nga programi ynë i cili parasheh liri për Universitetin e Prishtinës dhe një universitet për shoqërinë, po bënë që organizatës sonë t’i vihen pengesa të paarsyetuara dhe të pabazuara. Paniku që ka kapur administratën e UP-së, organizatat e varura studentore, dhe pushtetin, po e nxjerr vrazhdësinë e tyre dhe gatishmërinë që të shkelin çdo parim për ta ruajtur gjendjen e tyre ekzistuese”, thonë SKV.

Ata kanë njoftuar se kanë bërë ankesën në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa po ashtu kanë dorëzuar listat e tyre tek Komisioni Zgjedhor me Rronin dhe Durimin si emrat e parë në listën e Parlamentit Studentor.

“Ne nuk i njohim vendimet që na janë lëshuar deri tani, pasi ato nuk bazohen në ndonjë nga dokumentet e përmendura dhe i kërkojmë MASHT-it që të mos e bëjë gabimin e njëjtë. Gjithashtu i jemi drejtuar Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për të kërkuar nga këto institucione që të thonë fjalën e tyre për rastin eklatant të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut”, thuhet më tej dhe  se qëllimi i tyre është pengimi i punës së rektoratit derisa të shfuqizohen vendimet e padrejta dhe kolegëve të tyre tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhje si e drejtë që u takon duke qenë studentë të rregullt të UP-së.

“Ne do ta mbajmë të mbyllur hyrjen e ndërtesës, nuk do të hyjmë në objekt dhe do të kujdesemi që oborri i rektoratit për herë të parë pas shumë kohësh të jetë prapë publik, pra i studentëve”, thuhet në fund të komunikatës për media të Levizjes Studentore për Barazi – “Studim Kritikë Veprim”.

Policia e Kosovës u ka kërkuar aktivistëve të Lëvizjes “Studim, Kritikë, Veprim”, që deri në ora 11:30 ta lirojnë hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në të kundërtën ata do të jenë të detyruar që të ndërhyjnë për t’i larguar studentët protestues. (LajmeShqip.com)