Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 10:37

Shkup – VMRO –DPMNE-ja lavdërohet para opinionit me aksionet e ndërmarra për vrasjen  dhe burgosjen e shqiptarëve. Në raportin e kësaj partie për atë se çfarë kanë bërë për pesë vjet, siç mëson jozyrtarisht portali “Lajmeshqip.com”, është përfshirë edhe rasti i Brodecit dhe Radushës ku u vranë dhe arrestuan shqiptarë të pafajshëm, mes tyre edhe Harun Aliu, i njohur si komandant Kushtrimi.

“Penalisht janë akuzuar 17 persona dhe janë vrarë gjashtë pjesëtarë të grupit”, shkruhet në Raportin e VMRO-së për aksionin e Brodecit.

“Me aksionet si ai në afërsi të fshatit Bllacë e poshtme dhe në afërsi të fshatit Radushë, si dhe me aksionin në Brodec, në vitin 2007, përveç sekuestrimit të një numri të madh të armëve dhe mjeteve eksplozive, janë ndaluar dhe neutralizuar kërcënime serioze mbi Republikën e Maqedonisë”, thuhet ndër të tjera në raportin e VMRO-DPMNE-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti kjo që ka qenë në qeveri gjatë masakrës së Radushës, kanë thënë se nuk është sukses ekzekutimi i qytetarëve, por sukses është kur problemet politike të zgjidhen me mjete politike.

“Nuk mund të quhen aksione të suksesshme ato ku vriten qytetarë të Maqedonisë. Çdo herë  kam qenë ithtarë dhe mbetemi në atë se çdo problem duhet të zgjidhet me mjete politike, nëse gjeneza e problemit është politike. Edhe në këto dy raste mendojmë se ka pasur hapësirë që këto raste të zgjidhen me mjete politike dhe jo me ekzekutime”, kanë thënë në BDI.

Ndërkohë, për Partinë Demokratike Shqiptare, (PDSH) e cila ka qenë pjesë e Qeverisë gjatë aksionit të Brodecit, ky veprim i VMRO-së është një populizëm i pastër.

“Nuk ia vlen që të komentohen këto veprime, pasi një parti serioze nuk do të ishte lëvduar me të tilla gjëra. Është një populizëm i pastër”, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Sipas analistit Kim Mehmeti ky veprim i VMRO-DPMNE-së tregon pozitën e papërfillshme të partive shqiptare në Qeveri.

“Ja çdo të thotë të jesh vasal në një qeveri. Sunduesi bën atë që mendon se duhet të bëjë, edhe ajo që është e mirë për sunduesin është  e keqe për vasalin. Kjo tregon pozitën e partive tona në qeveri që nuk janë të përfillshme, që janë vetëm statistë dhe që vetëm u sjellin keq shqiptarëve”, ka thënë Kim Mehmeti.

Është e njohur se në aksionin “Stuhia malore”, në vitin 2007, u vranë gjashtë shqiptarë, mes tyre edhe Ramadan Shiti, ndërsa u arrestuan rreth 13 civilë nga ky fshat, të cilët edhe sot e vuajnë dënimin me burg.