Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 08:01

Prishtinë –  Politika dhe Prokuroria vihen në lëvizje pas skandalit Pacolli. Brenda partisë më të madhe të koalicionit, PDK-së, janë shtuar zërat që kërkojnë dorëheqjen e Pacollit nga qeveria dhe ndryshimin e koalicionit. AKR-ja nuk komenton me arsyetimin se gjithçka ka sqaruar lideri i tyre, Behgjet Pacolli. Prokuroria nuk e komenton zyrtarisht rastin, përderisa mësohet se hetimet për rastin e blerjes së Grandit tashmë kanë nisur.

Historia e shantazheve mes zyrtarëve të lartë të qeverisë për blerjen e Grandit është shndërruar tashmë në një telenovelë kosovare. Në të, pos Prokurorisë janë përfshirë edhe politikanë që e konsiderojnë njërin prej skandaleve të mëdha korruptive në të cilin janë përfshirë figura qeveritare.

Edhe të hënën Qeveria e Kosovës ka heshtur.Kryeministrit Hashim Thaçi për t’iu shmangur medies ka preferuar të mos dalë para gazetarëve pas takimit me zv.kryeministrin e Kroacisë, Neven Mimica, njofton KTV.

Por kërkesat drejt kryeministrit tashmë janë bërë publike nga eksponentë brenda partisë së tij, PDK-së, që nuk janë të kënaqur me zhvillimet e fundit. Asnjëri nga zyrtarët e lartë të AKR-së, përfshirë edhe Behgjet Pacollin, nuk kanë komentuar zhvillimet.

Ibrahim Gashi, Mimoza Kusari Lila e shefja e Grupit Parlamentar, Myzejene Selmani, nuk kanë dashur të flasin me arsyetimin se këtë e ka sqaruar tashmë Behgjet Pacolli.

I vetmi që nuk është sqaruar për skandalin deri tash mbetet djali i sh- Presidentit, deputeti Ukë Rugova.Pos politikës, në lëvizje është vënë edhe prokuroria.

Edhe pse nuk e kanë komentuar zyrtarisht, mësohet se hetimet për skandalin e blerjes së hotelit “Grand” kanë nisur.Brenda pak ditësh, Kryeprokuroria e Kosovës do të komunikojë edhe për media vendimin për fillimin e hetimeve dhe prokurorët që janë ngarkaur për rastin.

Ditë më parë, raportuam për dëshminë e Pacollit dhënë policisë në të cilën akuzonte Astrit Haraqinë, e deputetët Naser Osmani e Ukë Rugova ta kenë shantazhuar në blerjen e Grandit duke i kërkuar rrett 3.6 milionë euro. Të përfolurit kanë mohuar akuzat, duke paralajmëruar padi ndaj Pacollit. (LajmeShqip.com)