Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 18:40

Tiranë -Partia Socialiste ka bërë të ditur sot shpenzimet për reklama që kanë kryer disa ministri.

Deputeti Eduart Shalsi theksoi se paratë e taksapaguesve harxhohen nga qeveria që vetëreklamohet.  “Sot ne do të bëjmë publike shpenzimet e reklamave të disa ministrive, për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të shohin sesi shpenzohen dhe ku shkojnë paratë e tyre. Afërisht 2 milion dollarë ka shpenzuar ministria e Lulzim Bashës për llogari të Sali Berishës. Shuma ekzakte 1 930 000 dollarë, duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Një vit më pas, në vitin 2011, 1 milion dollarë për reklamë dhe propagandë qeveritare. Në vitin 2012, në 5 mujorin e parë, shifra kap 714 000 mijë dollarë”.

Më tej, Shalsi renditi me anë të një liste përkatësisht sesa para janë shpenzuar për reklamat në vite.

-Viti 2006 7 500 $
-Viti 2007 100 000 $
-Viti 2008 219 000 $
-Viti 2009 765 000 $
-Viti 2010 1 930 000 $
-Viti 2011 1 000 000 $
-Viti 2012 vetëm për 5 mujorin e parë 714 000 $

Deputeti Shalsi krahas shifrave të siguruara nga dokumentet zyrtare tregoi edhe kompaninë, e cila ka përfituar këto para. “Siç e shihni shifrat flasin qartë për nivelin e shpenzimeve reklamuese të Ministrisë së Brendshme, ku bie në sy fakti se është një kompani që menaxhon pjesën më të madhe: quhet Promo sh.p.k siç edhe e dëshmojne këto letra. Pra dhjetëra, qindra, miliona euro për reklama nga njëra anë dhe nga ana tjetër janë të njohura kushtet e vështira të punës dhe pagat e ulta të punonjësve të policisë, është fakt i njohur mospagesa e orëve të punës shtesë të policëve, mungesa e karburantit për makinat e policisë dhe gjithkush sjell në kujtesë pamjet e policëve që shtyjne makinat se s’kanë naftë, dhe për të vazhduar me mungesën e pranuar tashmë të logjistikës adekuate. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë së Sali Berishës të cilën shqiptarët e dinë por që ne do t’ja u bëjmë edhe më të kuptueshme dhe më të qartë përditë”, tha Shalsi.

Sipas Shalësit, ajo që bie në sy është një kompani e pranishme në të gjithë këto vite, quhet ‘ Promo shpk’. “Nuk bëhet fjalë për reklama informuese, por për propagandë të pastër politike dhe e shitur tek klientela e drejtpërdrejtë mediatike e kryeministrit”. (LajmeShqip.com)