Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 13:30

Prishtinë – Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në takimin e fundit me gazetarë për këtë vit, u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve të Kosovës lidhur me skandalin e përgjimeve telefonike.

Mirëpo, Grabovci nuk i kërkoi falje edhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

“Mua më vjen keq dhe u kërkoj falje gjithë qytetarëve të Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të shkaktoj shqetësim të qytetarëve. Kam bërë përpjekje gjithnjë që të jem në shërbim të një jete më të mirë dhe një stabiliteti relaksimit të jetës së qytetarëve. Unë të gjithë qytetarëve u kërkoj falje për shqetësimin më të vogël, me cilindo veprim që kam bërë. Ndërsa bashkëpunimi im me përfaqësuesit e institucioneve ka qenë korrekt, është korrekt dhe do të jetë korrekt”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka folur fjalë të mira edhe për raportet e tij dhe bashkëpunimin e mirë që e ka me Kadri Veselin.

Emërimi i koordinatorit Blerim Shala në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, sipas disa zërave thuhet se paraqet shkelje kushtetuese. I pyetur se a do të përkrah ndonjë iniciativë që kjo të shkoj në Gjykatë Kushtetuese, ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese është ajo e cila bënë vlerësimin, interpretimin dhe respekton vendimet e institucioneve tona, duke mos dhënë e përkrahjen.

Kohë më parë, ai kishte akuzuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj kërcënim, zhvatje dhe kandrabandim në veri të vendit, ndërsa sot janë të gatshëm të hynë në koalicion me partinë e tij.

Por Grabovci edhe për këtë ka pasur një shpjegim, duke thënë se PDK është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë spektrin politik.

“Prandaj këtë iniciativën e AAK-së ne e kemi vlerësuar e kemi mbështet dhe do ta mbështesim dhe jemi gatshëm që të bashkëpunojmë me të gjithë spektrin politik për interesat e qytetarëve, gjithsesi edhe me shoqërinë civile”, ka thënë ai.

Një qëndrim i Grupit Parlamentar të PDK-së si duket ka ndryshuar kur është fjala për mandatin e EULEX-it. Përderisa kohë më parë kanë deklaruar se do të kërkojnë rishikimin e mandatit të këtij misioni, kur ka qenë rasti Limaj, një gjë të tillë nuk e ka thënë edhe sot, duke thënë se kjo çështje do të analizohet dhe do të merren hapat më tutje.

“Ne jemi shumë të matur për fjalën tonë publike që e themi në rrethanat që e kemi thënë qëndrojmë prapa. EULEX-i në rastin konkret kur ka qenë rasti Limaj nuk ka respektuar procedurat, nuk ka respektuar ligjet, prandaj ka kemi kërkuar që ato të korrigjohen dhe mos të përsëriten. Dhe ne do të analizojmë se çfarë hapa do të marrim më tutje”, ka theksuar Grabovci.

Grupi Parlamentar i PDK-së, një nga sukseset më të mëdha që konsideron që është arritur këtë vit në rrafshin politik, ka qenë përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë.(G.E/LajmeShqip.com)