Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 10:33

Pak ditë pasi gjykata penale e Tiranës shpalli fajtor Kostandin Xhuvanin, djalin e deputetes Luiza Xhuvani, për akuzën e vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi ka urdhëruar një inspektim urgjent në gjykatë dhe në prokurori.

Sipas zyrës së shtypit, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë mbërritur në këto dy institucione për kontrollin e kësaj dosjeje, ndërsa është informuar për kontrollin, sipas Ministrisë së Drejtësisë, edhe prokurorja e përgjithshme.

Sipas ministrit të Drejtësisë, kontrolli i bëhet prokurorisë për politikën penale të dënimit të ndjekur dhe për parimin e drejtësisë dhe barazisë në subjektet e procedimit penal.

Sipas ministrit të Drejtësisë, për konkulzionet e kontrollit do të njoftohet Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe presidenti i vendit.

Top Channel disponon dispozitivin e këtij vendimi të shpallur në datën 14 nëntor, ku Konstandin Xhuvani, referuar Kodit Penal, dënohet me dy vjet heqje lirie.

Në këtë dokument radhiten pretendimet e prokurorit të cështjes, i cili kërkon deklarimin fajtor të të riut për akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe dënimin e tij me 3 vjet heqje lirie.

Prokurori thotë që i riu të dënohet edhe për armëmbajtje pa leje me një vit burgim. Sipas konkluzioneve të prokurorisë, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal që thotë se, “kur kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, gjykata mund të caktojë vetëm dënimin më të rëndë për njërën nga veprat penale”, prokuroria kërkon përfundimisht 3 vjet burgim.

Sipas dokumentit që TCH disponon, avokati mbrojtës i Kostandin Xhuvanit ka kërkuar pafajësinë pasi klienti i tij ndodhet në kushtet e tronditjes së fortë psikike referuar edhe akuzës që i rëndon, ajo e vrasjes në kushtet e e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe kërkon vetëm dënimin e tij për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Në përfundim, thotë gjykata, Kostandin Xhuvani shpallet fajtor për vrasje të kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal, dhe dënohet me tre vjet.

Por në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, atij i ulet një e treta e dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht i akuzuari dënohet me dy vjet burg.

Ndërkohë që shoku i tij Albi Zela dënohet për moskallëzim krimi me 14 muaj heqje lirie. Ajo që vihet re pas këtij vendimi është se prokuroria nuk e ka apeluar cështjen, ndërkohë që ka qenë vetë i pandehuri që është ankuar në gjykatë dhe kërkon pafajësinë.

Më 12 shkurt 2011 Konstandin Xhuvani vrau me armë zjarri Alfred Musabelliun, pas një konflikti që Albi Zela pati me viktimën dhe ku sipas prokurorisë është përfshirë edhe Kostandini, i cili qëlloi viktimën në kokë./TCH