Lajme Shqip Monday, 24 August 2015 12:11

Zyra e Kryeministrit apikoi procedurë të mbyllur tenderuese për të kontraktuar një kompani për servisim të automjeteve. Nëpërmjet kësaj procedure shpalli fitues kompaninë Makcar që është në pronësi të djemve të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut e Arbenit, raporton Gazeta JNK.

Të njejtën ditë kur Isa Mustafa u bë kryeministër, më 9 dhjetor 2014, djali i tij u paraqit para gjyqit nën akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtarë.

Dalja para gjyqit e Besnik Mustafës dhe bërja publike në media do të nxiste reagimin e kryeministrit Mustafa. Ai kishte shfaqur nervozën e tij disa muaj më vonë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook kishte deklaruar se po bëhet fushatë linquese ndaj djalit të tij nga mediat dhe njerëz të shërbimeve informative. Nuk kishte saktësuar se kujt i referohej si ‘njeri i shërbimeve’.

E kishte penguar fakti që të akuzuarve tjerë iu referohen me emër e mbiemër ndërsa Besnikut i referohen si ‘djali i kryeministrit’.

“Vërtetë Besniku është djali im. Një djalë i mrekullueshëm, i ndershëm, punëtorë i mirë, i cili punon nga agu deri në mbrëmje dhe jeton me punën e tij”, kishte shkruar Mustafa më 8 prill të këtij viti.

Por pjesë e punës së Besnikut, tre muaj e gjysmë pas këtij reagimi, është bërë edhe një kontratë publike.

Kompania Makcar, ku Besniku është pronarë bashkë me vëllain e tij Arbenin, fitoi kontratë pikërisht nga Zyra e Kryeministrit e udhëhequr nga prindi i tyre-kryeministri Mustafa-që ankohej se i biri po i linqohej nga shoqëria.

Zyra e Kryeministrit shpalli fitues këtë kompani më 21 korrik të këtij viti. Gjashtë ditë më vonë, më 27 korrik 2015 u nënshkrua kontrata mes Makcar dhe Zyrës së Kryeministrit.

 

Bazuar në Njoftimin për Dhënie Kontrate të publikuar nga Zyra e Kryeministrit oferta e kësaj kompanie në tenderin për servisimin e automjeteve është në vlerën e 2 mijë e 946 eurosh.

Person kontaktues për këtë kontratë është Besnik Mustafa.

Njoftimi po ashtu tregon se ZKM-ja përzgjodhi procedurën e kuotimit të çmimeve.

Ligji i Prokurimit që parasheh këtë procedurë i mundëson institucioneve që të mos aplikojnë tenderë të hapur por të shkojnë me procedura të mbyllura.

Kuotimi i çmimeve mundëson po ashtu që Kryeministria të përzgjedh vetë së paku tri kompani për të dërguar ofertat e tyre.

Pastaj Kryeministria, në mesin e tri kompanive të ftuara, vlerëson se cila ofertë është më e denja për të lidhur kontratë .

Përveç këtyre të dhënave që janë bërë publike Zyra e Kryeministrit ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë që kërkojnë sqarime lidhur me këtë tenderë të mbyllur.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi sqarime se cilat janë kompanitë tjera që u ftuan përpos kompanisë Makcar që është në pronësi të Besnik e Arben Mustafës si dhe cilat kritere plotësoi kjo kompani për të lidhur kontratë publike, raporton Gazeta JNK.