Lajme Shqip Tuesday, 15 September 2015 08:19

Naim Braha është ankuar se i dhemb dhëmbi sa herë që e sheh një çek banke që peshon dhjetë mijë euro. Dhimbjen nuk ia shkakton vlera, por destinimi i parave. Ato thotë se ia ka dhënë ryshfet Basri Mujës në këmbim të akreditimit të institucionit të tij arsimor.

Ankesat për dhimbje dhëmbi ia ka treguar Avni Mazrekut më 7 nëntor 2013, në kafenenë “Lips” në Prishtinë. Biseda e tyre është e incizuar me video nga Policia e Kosovës që po kryente hetime me anë të përgjimit e vëzhgimit kundër Ferdije Zhushi-Etemit, Basri Mujës e Armend Mujës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjatë kësaj bisede të incizuar nga Policia, Braha, që akuzohet për dhënie të ryshfetit për akreditimin e dy programeve të kolegjit “Vizioni për Arsim” në Ferizaj, ia shpjegon Avni Mazrekut, pronar i kolegjit ISPE, se ryshfetin prej 10 mijë eurosh ia ka dhënë Basri Mujës, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nëpërmjet Ramadan Idrizit, i njohur si “doktori”. Gjatë bisedës Mazreku e pyet Brahën me habi se a i ka dhënë dhjetë mijë euro.