Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 10:44

Prishtinë - Komisioni shtetëror i maturës po i vazhdon përgatitjet për provimin e maturës. Sivjet nuk do të ketë ndryshime sa iu përket testeve të provimit, thonë zyrtarë nga ministria e arsimit.

Pritet që gjatë muajit prill të fillojë periudha e vetëdijesimit të maturantëve, të cilët do të njoftohen me rëndësinë e këtij provimi. Ndërkohë, në tri fakultete të Universitetit të Prishtinës, këtë vit akademik do të pranohen studentë të rinj pa provim pranues.

Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Nehat Mustafa, tha se është hartuar plani dinamik i provimit, i cili është miratuar nga komisioni qendror shtetëror i maturës dhe është duke u zbatuar.

Provimi i maturës, i cili do të mbahet më 4 qershor të këtij viti, është duke u përgatitur konform ligjit për provimin e maturës.

“Në fazat e para ka qenë identifikimi i lëndëve, pastaj miratimi i lëndëve që do të jenë për provimin e maturës, është përzgjedhja e listës së ekspertëve, grupi i ekspertëve ka filluar punën. Ndërsa nga fundi i muajit prill do të fillojë periudha e vetëdijesimit të maturantëve, të cilët do të njoftohen me rëndësinë e këtij provimi, ka thënë Mustafa.

 

Përgatitjet shtesë nëpër shkolla për provimin e maturës, do të fillojnë pasi të përfundojë viti shkollor i maturantëve. Mustafa tha se në përmbajtjen e testeve të maturës nuk do të ketë ndonjë ndryshim, por ndryshimet priten nga viti i ardhshëm. Ndërkohë, për këtë vit ligji ka paraparë që njësitë akademike të mos kenë provime pranuese në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit të fillojë pilotimi i këtij ligji në tri fakultete.

“Marrëveshjen që e kemi pasur me Universitetin e Prishtinës, por edhe me disa nga dekanët e fakulteteve, është marrë vendim që provimi pranues do të jetë përfundimtar për fakultetin e shkencave matematiko-natyrore, fakultetin teknik-makinerisë dhe fakultetin e Bujqësisë”, ka thënë ai.

Mënyra e vlerësimit të testeve të provimit të maturës, vazhdon të jetë e njëjtë me kriterin e kalueshmërisë, ku së paku 50 për qind e përgjigjeve duhet të jenë të sakta.