Lajme Shqip Tuesday, 07 August 2012 12:23

Prishtinë – Tereni mjaft i vështirë për ndërhyrje bënë që zjarret të përhapen në bjeshkët e Deçanit. Drejtori për Shërbime Publike dhe emergjencë në këtë komunë, Admir Hasani  tha se është arritur të lokalizohet një pjesë e zjarreve. Por, ai shton se rreziku për përhapje më të madhe të tyre mbetet në bjeshkët e Bellesë.

 “Zjarret në Jedovë, Bjeshkë të Carrabregut dhe afër Manastirit janë nën kontroll. Kurse në Bjeshkën e Bellesë është e pamundur të vihet nën kontroll zjarri për shkak se terreni është shkëmbor dhe e pamundur të ndërhyhet me këmbësori”.

Sipas Hasanit, komuna e Deçanit ka kërkuar ndihmë nga KFOR-i dhe FSK-ja, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Ndërkaq, situatë alarmuese është paraqitur edhe në komuna tjera të Kosovës. Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, tha se zjarre ka pasur edhe në Gjilan, Kamenicë, Viti dhe në Korretnicë të komunës së Drenasit. Ai thekson se dëmet konsiderohen të mëdha, si dhe ndërhyrja për shuarjen e zjarreve ka qenë e vonuar.

Duke pasur parasysh temperaturat e larta që po mbretërojnë ditëve të fundit, iu bëhet thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe mos të ndezin zjarre e sidomos bujqit që të mos i ndezin hamullorët sepse një shkëndije mund të shkaktojë dëme fatale edhe për fshatrat që gjenden rrëzë maleve. (LajmeShqip.com)