Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 15:30

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot në mbledhjen e qeverisë, krijimin e Komitetit ndërqeveritar për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dëborës.

“Ky Komitet duhet të ndjekë 24 orë në 24 situatën e krijuar në zonat e izoluara nga dëbora. Të gjitha potencialet duhet të vihen në funksion të emergjencës shëndetësore dhe në furnizimet e mundshme për zonat e bllokuara nga dëbora”, tha Berisha.

Komiteti do të kryesohet nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ku në përbërje do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Punëve Publike, Arsimit, Shëndetësisë dhe Bujqësisë.

“Vërtetë në disa zona bora nuk arrin më shumë se 1 metër, por në disa fshatra dhe lagje arrin në 2 dhe më shumë metra. Të gjitha potencialet duhet të vihen në dispozicion të tyre, në radhë të parë ato mjekësore”, theksoi Kryeministri.

Komiteti  i Emergjencës pritet të zhvillojë sot mbledhjen e tij të parë, ndërsa Berisha dha porositë për të hartuar masa dhe plane veprimi për banorët e të gjitha zonave.

“E gjithë Shqipëria është e mbuluar me dëborë, përveç ultësirës. Një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet epidemisë së gripit. Numri i rasteve është në rritje dhe ka raste në forma mjaft serioze. Njoftimet e këtyre ditëve flitet për 2 e ca mijë. Një pjesë tjetër mjekohen vetë. Edhe ky problem duhet të ndiqet me vëmendje të madhe nga Ministria e Shëndetësisë”, shtoi Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)