Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 22:17

Tiranë-Është mbledhur sot në mbrëmje komisioni i emergjencave në Partinë Socialiste. I thirrur nga Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ky takim shërbeu si një mbledhje e jashtëzakonshme, lidhur me situatën e rëndë në veri dhe juglindje të vendit.

Deputetet e zonave veriore dhe juglindore, si dhe deputetë të cilët kanë marrë pjesë direkt në situata emergjente gjatë qeverisjes socialiste, diskutuan në lidhje me orët dramatike që po përjeton veriu i Shqipërisë.

Kreu i opozitës Edi Rama përsëriti se kryetarët socialistë të komunave në zonat veriore, janë të angazhuar bashkë me deputetët për të bërë gjithçka është e mundur, pavarësisht mundësive të tyre të kufizuara.

Komisioni ra dakort për hartimin e një plani solidariteti si dhe për një riorganizim transparent dhe një informim në kohë reale për operacionet e ndihmës. U ndanë grupet e punës dhe u hartuan disa masa paraprake në ndihmë të banorëve.

Sipas Ramës për këtë duhet një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake.

Mungesa e planit nga ana e qeverisë për të përballuar krizën energjitike ishte një tjetër pikë e rëndësishme, e cila u diskuta gjatë takimit të komisionit të emergjencave.

Opozita shqiptare është e gatshme të japë kontributin e saj në lidhje me këtë,- tha Rama duke shtuar se partia socialiste ka mobilizuar forcat dhe mbështetur përfaqësuesit e saj vendorë në ato zona, së bashku me deputetët e Kukësit, të Dibrës, të Shkodrës, të Librazhdit .

Varfëria, mungesa e ndihmës ekonomike, vonesat e pensioneve dhe pagave vonesat e ndihmës sociale, invalidët,gratë dhe fëmijët e pambrojtur e të lënë  nën mëshirën e fatit, të tëra këto  nuk kërkojnë një angazhim propagandistik, por një  por një vullnet për të bashkëpunuar. “Ja pse duhet një solidarizim pa dallim partiak”- u shpreh Rama.

Që nesër do të detajohen edhe për publikun vendimet që ky komision mori me qëllimin e vetëm për t’i ardhur në ndihmë banorëve të izoluar në veri dhe në juglindje të vendit, që sot po jetojnë orët me dramatike të jetës së tyre. (LajmeShqip.com)